Megaoperacioni në Elbasan/ Dalin sot para gjykatës 45 të arrestuarit, prokuroria kërkon burg për 37 prej tyre

Në gjykatën e Elbasanit ka nisur gjyqi për të arrestuarit e megaoperacionit ‘Rrjeti’. Prokuroria ka dorëzuar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për 45 të arrestuarit nga operacioni anti-drogë ditë më parë. Prokuroria ka kërkuar 37 masa arresti me burg, 5 arrest shtëpie dhe 3 detyrim paraqitje.
7 persona janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre ndërkohë prokurori i çështjes konfirmon se operacioni vazhdon ende pasi nga dëshmitë e të arrestuarve janë zbardhur edhe emra të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë aktivitet.
Kujtojmë që si rezultat i operacionit në banesa dhe lokale u gjetën dhe u sekuestruan drogë të llojeve të ndryshme, një automatik dhe municion luftarak, 51 milion lekë, 15 mijë euro dhe disa franga zvicerane.
Nga personat e arrestuar, 11 prej tyre ka qenë dënuar edhe më parë në fushën e narkotikëve.