Fshati i Sarandës në zi për kamarierin 17 vjeçar që u vra te “Club Orange”

Familjarë, miq dhe banorë të fshatit Qafë Gjashtë dhe gjithë Sarandës kanë përcjell për në banesën e fundit Antonio Delilaj, të riun që humbi jetën të shtunën në “Club Orange” ku punonte si kamarier.
Ai ishte vetëm 17 vjeç dhe ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë, kishte vendosur të punonte para se të fillonte shkolla.
Orët e para të së shtunës ishin të fundit për adoleshentin. Shkalla e improvizuar për lëvizjen e mallrave brenda “Club Orange” në Sarandë u këput dhe e zuri nën vete. Fatkeqësisht, Antonio Delilaj ndërroi jetë në vendngjarje.
Siç shihet nga këto pamje të publikuara në rrjetet sociale nga personat që kanë qenë në varrimin e tij, ditën e diel, qindra njerëz të njohur e të panjohur të familjes Delilaj kanë shkuar për të përcjellë Antonion 17 vjeçar në banesën e fundit.
“Rreth orës 01:15 minuta të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Nr. 1”, Sarandë, në lokalin në pronësi të shtetasit Spiro Iljadhi, është këputur kavoja e ashensorit që përdorej kryesisht për furnizimin e lokalit, duke zënë poshtë shtetasin Antonio Delilaj, 17 vjeç, (ndihmës/kamarier në këtë lokal)”, njoftoi Policia të shtunën.
Për këtë ngjarje tragjike është arrestuar shtetasi Lulzim Allkushi, personi që ishte përgjegjës dhe kishte instaluar ashensorin në “Club Orange”. Ai përdorej kryesisht për transportin e mallrave për furnizim, nga një kat i lokalit në tjetrin.
Ndërkohë, në kërkim për vdekjen e kamarierit 17 vjeçar është shpallur dhe pronari Spiro Iljadhi. Ky shtetas nuk është gjetur mbrëmjen e djeshme në “Club Orange” kur Policia ka mbërritur atje dhe ka kryer hetimet paraprake, shkruan newsbomb.al.


