Kërkesa e Sali Berishës: SPAK të hetojë… FBI-në

Berisha ka dalë këtë të enjte në një dalje urgjente për mediet dhe i ka bërë Prokurorisë së Posaçme, (SPAK), të cilën vazhdon ta quajë me përçmim “SKAP”, një kërkesë halucinante.
Kreu i Rithemelimit duke komentuar zhvillimet e fundit në gjyqin e McGonigal në Washington, ka kërkuar që SPAK të hetojë “nongratën” e tij nga SHBA, pasi ajo është realizuar me informacione të ish-drejtuesit të FBI, të paguara nga Edi Rama.
Kujtojmë se Berisha më herët pikërisht për këtë çështje kishte akuzuar Soros, kurse sot akuzat i ka devijuar te McGonigal.
Por edhe në dosjen hetimore të këtij të fundit, ajo që ka dalë deri tani është vetëm fakti se ai me informacion të ushqyer nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë, inicioi një hetim të stisur për kryetarin e opozitës në atë kohë Lulzim Bashën, sikur ai kishte lobuar në SHBA me “para ruse”.
Ky hetim më pas u pushua për mungesë faktesh, por Sali Berisha sot thotë, se edhe për atë vetë McGonigal, ka bërë dosjen “nongrata” ndaj tij.
”Unë jam këtu para së të gjithash për të denoncuar me forcën më të madhe indiferencën kriminale, antiligjore dhe antikushtetuese të SKAP-it të partisë dhe drejtësisë shqiptare ndaj aferës McGonigal në Shqipëri. Shqipëria do skuqet nga turpi vetëm pak ditë më vonë, kur McGonigal të shpallë veten fajtor për krimet që ka kryer në Shqipëri.
Nuk mund të ketë drejtësi në botë, përveç asaj që funksionon në kontrollin e plotë të qeverisë, që nuk hap hetimin dhe nuk vendos ndjekjen penale ndaj McGonigal dhe Edi Ramës, Dorian Duçkës, Agron Nezës, që rekrutuan me korrupsion McGonigal, për hetime private, që i dërguan të dhëna dhe dëshmitarë me këshilltarin privat, Dorian Duçka në zyrën e tij në Nju Jork, dhe që e paguan me ish-oficerin e sigurimit të Shtetit, Agron Neza për hetimin e lobistit të PD, Nick Muzin.
Dhe siç del nga burime të besueshme, për përgatitjen me manipulim dhe falsifikim, të dosjes për shpalljen non-grata të Sali Berishës.
Një heshtje e tillë armiqësore ndaj ligjit, Kushtetutës, opozitës së vendit dhe rendit demokratik, mund ta mbajnë vetëm prokuror dhe hetues, militantë fanatikë të Edi Ramës,” u shpreh sot Berisha.