Përgjimet në “SKY”, Karamuço: Një tjetër ish-prokuror dhe politikan i lartë të përfshirë, lista po shtohet me emra të rinj dhe interesantë

Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço ka treguar se një tjetër ish-prokuror pas Xhevahir Litës dhe një politikan i lartë është përfshirë në komunikimet që u zbërthyen në aplikacionin “SKY”.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Karamuço thotë se listës po i shtohen nga dita në ditë emra të rinj dhe shumë interesant, por duhet të presim akoma përfundimet nga SPAK.
“Një tjetër ish prokuror dhe politikan i lartë po del i përfshirë në komunikimet e SKY ecc. Megjithëse lista po shtohet nga dita në ditë me emra të rinj dhe shumë interesant, na duhet të presim akoma për përfundimet e SPAK”, shkruan Karamuço.
Kujtojmë që nëpërmjet zbërdhimeve të SPAK të aplikacionit “SKY”, janë publikuar përgjime që kanë çuar në pranga disa emra të njohur.
Në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, janë arrestuar ish-shefi i Forcave Operacionale, Oltion Bistri, shefi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, ish-polici Ardit Hasanbega, biznesmeni Pëllumb Gjoka, Edmond Preka, Asmer Bilali dhe dy shtetas të tjerë. Gjithashtu, në pranga janë vënë dhe shtetasit me iniciale S.T 21-vjeç dhe N.T 24-vjeç.
Ndërsa në kërkim janë shpalluar shtetasit: Behar Bajri, Ervis Martinaj, Denis Bajri, Klaudio Haka, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Arsat Bashli, Bardhyl Mavraj dhe Elion Hato.
Sky ECC (Sky Encryption Communication) konsiderohej një aplikacion i sigurt mesazhesh i krijuar për të ofruar komunikim të koduar nga skaji në skaj.
Ishte i njohur privatësinë dhe sigurinë që të ofron, duke e bërë atë të popullarizuar në mesin e individëve dhe grupeve që i japin përparësi konfidencialitetit në komunikimet e tyre. Aty bandat kriminale flisnin të pashqetësuar lidhur me punët e pista, aktivitetet, pazaret e drogës apo edhe porositjen e vrasjeve.
Sky ECC u krijua për të ofruar veçori të tilla si mesazhe të koduara, thirrje zanore dhe tepër të sigurta nga përgjimi dhe aksesi i paautorizuar. Për këtë arsye preferohej jashtë mase nga grupet kriminale, duke u bërë ‘të pakapshëm’” nga polica.
Mirëpo, pas ndërhyrjes së FBI-së, e cila ndihmoi në zbërthimin e aplikacionit “Sky ECC”, shumë kriminelë përfunduan pas hekurave. Aplikacioni është mbyllur përfundimisht në vitin 2021 nga një operacion i Europol dhe për ta përdorur, duhej të kishe një telefon të posaçëm. Ndërkohë sipas Europol-it rezultuan se 16 mijë shqiptarë ishin abonentë në aplikacionin “SKY”.
Burime në media bëjnë me dije se po gjenerohen mesazhe të shumta dhe se për shkak të këtij fluksi Shqipëria ka kërkuar 6 poste pune. Kujtojmë për shkak të këtyre mesazheve SPAK ndërmori një megaoperacion “Metamorfoza”, ku mbetën të arrestuar njerëz të pushtetshëm si biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish shefin e operacionales Oltion Bistri apo prokurori i Kukësit Xhevahir Lita.
Numri i madh prej 16 mijë shqiptarë në këtë aplikacion, dukshëm premton se shumë emra të tjerë të botës së krimit, politikës dhe drejtësisë që kanë abuzuar me detyrën të dalin shumë shpejt para drejtësisë.