Video/ Shqipëria e sekserëve dhe vdekjeve pa dashje!

Redaksionale

Kjo është një video nga vendi ku ndodhi një vrasje një ditë më parë. Rei, një punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, i biri i Nurihan Metës, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, qëlloi dje me breshëri grushtesh një inxhinier ndërtues në Vlorë dhe e la të vdekur në vend.

Ky është lajmi që përcollën të gjitha mediat, ashtu siç publikuan edhe videon e vrasjes. Momentet më të tmerrshme në video, janë kur njeriu fatkeq Armando Meshau jep shpirt. Një goditje fatale pas koke ka bërë që inxhinieri të vdesë në duart e vrasësit.

Momentet kur ai përpëlitet në çastet e fundit të jetës, janë momentet që duhet të na bëjnë të gjithëve të reflektojmë për banalitetin e së keqes për lehtësinë me të cilën të vrasin dhe vritesh në këtë vend. Për faktin që në këto 30 vjet, që na është dukur sikur kemi krijuar demokracinë, në fakt ne kemi krijuar anarkinë, antivlerën, kemi krijuar batakun, ku përpëliten vlerat, derisa japin shpirt.

Siç ka dhënë ky njeri, një burrë i ri, ambicioz, punëtor, ndërtues, biznesmen. Por ja si vdiq! Vdiq në punë e sipër, në një kancelari të zakonshme, ku ishte duke printuar disa dokumente. Kur pushojnë të gjithë, ai po punonte, si të gjithë biznesmenët e vegjël në këtë vend, që sado i keni zili sikur ata kanë para, në fakt ata vdesin përditë nga pamundësia, nga mungesa e burimeve njerëzore, nga mungesa e ndihmës së shtetit, nga problemet me taksat, nga një mijë e yçkla e kleçka që i nxjerrin biznesit dhe biznesmenëve të vegjël në këtë vend. Që vdesin të vegjël, se që të bëhes i madh do sekserin e duhur, jo talentin e duhur. Në vende si yni, ku sekserët bëjnë ligjin, bëjnë kullën, bëjnë inceneratorin, bëjnë vrasjen me klering, bëjnë vrasjen pa dashje, si ky sekseri në video.

Ky që kërkon ose kuletën ose jetën. Si një bandit i zakonshëm i këtyre 30 viteve. O njerëz, o shqiptarë, shikojeni këtë video dhe vendosni nëse doni të jeni ai i radhës, që do të përplasë kokën pas një muri, a pas një druri dhe të vdisni “pa dashje”!/dritare.net

Back to top button
LAJMET E FUNDIT