Cilat janë provat e deritashme për përfshirjen ruse në Basnjkë

Sulmi në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ka ndodhur në natën mes 23 dhe 24 shtatorit, kur grupe të armatosura kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet që kanë pasuar janë vrarë edhe tre sulmues, ndërsa Policia e Kosovës ka thënë se ka konfiskuar një sasi enorme të armatimit.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit e ka mohuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin në Banjskë.
Sveçla ka thënë se në njërën prej dhjetëra makinave të kapura në Banjskë “janë gjetur materiale ruse”. Sipas tij, janë gjetur edhe dy motorë katër-rrotësh për terrene të vështira, prodhim i Rusisë.
“Ka edhe informata të inteligjencës për përfshirjen e elementeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me Rusinë. Ne, në vazhdimësi, po punojmë në identifikimin e të gjithë këtyre terroristëve… Besoj se shumë shpejt, njësitë tona të specializuara të policisë së Kosovës, por edhe të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, në bashkëpunim me aleatët tanë, do t’i identifikojnë…”, ka thënë Sveçla.
“Ne jemi dëshmitarë se në Nish [të Serbisë] ka një qendër kinse humanitare ruse, e cila dihet botërisht se është qendër inteligjence, përmes së cilës ata përgjojnë të gjithë rajonin dhe në të cilën ka edhe ushtrime të ndryshme – qoftë për inteligjencë, qoftë për veprime në terren… dhe besojmë se edhe kjo qendër është e përfshirë në këtë sulm”, ka shtuar ministri i Brendshëm kosovar.
Pas incidentit në Banjskë, Kremlini ka thënë se është duke e vëzhguar nga afër gjendjen në veri të Kosovës, por nuk e ka dënuar sulmin.
Të nesërmen e sulmit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko.
“Jam mirënjohës që [ambasadori rus] i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram më 25 shtator, por nuk ka dhënë hollësi se për çfarë kërkesash bëhet fjalë.