Humbi zgjedhjet në Kukës/ Reagon për herë të parë Emri Vata: Vetëm në pushtetin e Edi Ramës…

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Kukës, Emri Vata, ka reaguar për herë të parë pas humbjes përballë kandidati të PS, Albert Halilaj.
Përmes një reagimi në Facebook, kandidati Vata shprehet se rezultati i zgjedhjeve është ndikuar nga patronazhistët dhe “super-ministrat”, që sipas tij kanë blerë vota.
Ai shton se “vetëm në pushtetin e Edi Ramës skandalet politike, morale dhe shoqërore nuk reflektohen në rezultat, por e thellojnë atë në favor të shkelësve”, duke iu referuar skandalit të ish-kryebashkiakut Safet Gjici.
Reagimi i plotë:
Të dashur miq, të dashur bashkëpunëtorë, të dashur demokratë, të dashur kuksianë!
Dua të falenderoj, së pari strukturën e Partisë Demokratike në Kukës dhe familjet e tyre për qëndresën dhe mbështetjen në këtë sfidë të pabarabartë në shumë drejtime. Demokratëve që më dhanë besim duke më votuar, u jam përherë mirënjohës. Miqve që më mbështetën vazhdoj të jem borxhli dhe mirënjohës.
Përsëritja e asaj që të gjithë bashkë e kemi parë me sy është e panevojshme. Dua të theksoj se vetëm në pushtetin e Edi Ramës skandalet politike, morale dhe shoqërore nuk reflektohen në rezultat, por e thellojnë atë në favor të shkelësve.
Patronazhistët dhe super-ministrat ishin në Kukës me torbën plot, të lekëve dhe premtimeve, por tabloja e Kukësit të zbrazur në 10 vitet e pushtetit të tyre flet pa pasur nevojë për dorëzanë.
Rezultati i zgjedhjeve, me gjithë deformimet, presionin, shitblerjet e votës, krimin shtetëror duhet lexuar me kujdes. Ne sot mbyllëm një fushatë, por jo misionin tonë që në Kukës dhe në gjithë Shqipërinë të kthejmë zgjedhjet e lira. Uroj që vota e çdo qytetari kuksian, të mos shpërdorohet. Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje.
Miqësisht, Emri VATA