Kush është Fredi Beleri, anëtar i grupit që vrau ushtarakët në Peshkëpi dhe lidhjet që drejtësia nuk i provoi dot?!

Çështja e Fredi Belerit ka thelluar krizën në marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në darkën informale që ka mbajtur dje, sipas mediave vendase, raportohet se ka folur me ton kërcënues për Shqipërinë.

“Greqia nuk do të tolerojë asnjë lëvizje që ose cenon interesat e saj ose nuk është në përputhje me standardet evropiane. Qëndrimi i Athinës ka qenë prej kohësh i qartë dhe thotë se qeveria shqiptare ka tejkaluar kufirin me çështjen Beleris”, shkruante grekja eKathimerini.

Por për këtë gjuhë të fortë dhe shantazhuese e kanë dënuar dhe vetë politikanë e ish-politikanë të Greqisë. Ish-zëvendësministri i Jashtëm grek në qeverinë SYRIZA, Nikos Xydakis ka thënë se Fredi Beleri nuk është një njeri i pafajshëm.

“Athina dhe Tirana e dinë rolin e Belerit. Ai nuk është një njeri i pafajshëm, ai ka një histori politike dhe një histori të errët. Duhet ta kishte pastruar këtë histori shumë muaj më parë. Dhe të mos bëhet një gjemb diplomatik në marrëdhëniet jo aq të mira mes Athinës dhe Tiranës”, është shprehur Nikos Xydakis.

Fredi Beleri, Masakra e Peshkëpisë dhe drejtësia e munguar për Dëshmorët e Atdheut

Politikani ekstremist që u zgjodh nga dyshja e koalicionit Sali Berisha-Ilir Meta për të kandiduar në Himarë përballë Jorgo Goros, ka vërtet një histori të errët që ka kaluar nëpër dyert e drejtësisë dhe qelitë e burgjeve, shkruan newsbomb.al.

Pavarësisht akuzave ndër vite, Fredi Beleri u shfaq në shkallët e Prokurorisë për Krimet e Rënda vetëm në vitin 2019. Eugen Beci, në atë kohë prokuror, njoftoi nisjen e hetimeve ndaj politikanit ekstremist dhe në prani të dy oficerëve të Policisë Gjyqësore e mori në pyetje për tre orë.

Pas dëshmisë, atij ju komunikua zyrtarisht akuza për veprën penale “Kryerje e aktiviteteve dhe veprimtarive terroriste”.

Te arrestuarit per ngjarjen ne Peshkepi, nga autoritetet greke, me shigjeta te kuqe Fredi Beleri
Te arrestuarit per ngjarjen ne Peshkepi, nga autoritetet greke, me shigjeta te kuqe Fredi Beleri

Kjo akuzë ndaj Fredi Belerit kishte të bënte me ngjarjen e ndodhur në mëngjesin e hershëm të 10 prillit 1994, kur një formacion paraushtarak grek hyri nga toka në brendësi të kufirit të Shqipërisë dhe mori peng ushtarakët dhe komandantin e Postës Kufitare të Peshkëpisë.

Pavarësisht se Fredi Beleri e ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje, një muaj më pas autoritetet greke ndaluan shtatë persona të dyshuar për ngjarjen në Shqipëri, të cilët ishin anëtarë të grupit paraushtarak “MAVI”. Respektivisht, ata ishin:

  1. Jorgos Anastasulis, 34 vjeç, shtetas grek, oficer;
  2. Apostolos Karvelas, 26 vjeç, shtetas grek (ish-polic rrugor);
  3. Harallamb Papa, 21 vjeç, nga Krioneri i Gjirokastrës;
  4. Marios Kutula, 25 vjeç, qytetar shqiptar;
  5. Fredi Beleri, qytetar shqiptar, 23 vjeç, (i cili përdor disa emra si Dionisios dhe Foti);
  6. Jorgo Kristo, 26 vjeç;
  7. Jorgo Papa, 30 vjeç, të gjithë këta nga Himara.

Në momentin e ndalimit, këtyre personave ju gjetën dhe disa armë zjarri, të cilat sipas raporteve policore ishin armët që u ishin vjedhur ushtarakëve shqiptarë në Postën Kufitare të Peshkëpisë. Mirëpo, Gjykata e Athinës pas një muaj mbajtje në qelitë e paraburgimit, konstatoi se “provat nuk ishin të mjaftueshme”.

Raporti policor i datës 11 prill 1994, dërguar në Tiranë, nga Peshkëpia:

“Në 10.04.1994 ora 2.30 6-7 persona të paidentifikuar të veshur me uniformë ushtarake Greke (laramane), të maskuar me maska, kanë hyrë nga toka greke, nëpërmjet grykës së Bogazit në tokën shqiptare në postën kufitare të Peshkëpisë. Aty në mënyrë të befasishme kanë goditur me armë automatike tip “shutgan” rojën e jashtme të postës ushtar Arsen Llazar Gjini vjeç 20, nga fshati Seman Fier, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Më pas kanë kapur rojën e derës së hyrjes së postës, i cili së bashku me rojën e jashtme e kryenin shërbimin pa municion, e janë futur në ambientet e postës. Dy prej tyre kanë hyrë në dhomën ku flinin oficerët e postës, Qemal Stroka e Siat Selfo, të cilët i kanë nxjerrë të lidhur. Një person tjetër prej tyre ka hyrë në dhomën e Komandantit të postës Fatmir Sali Shehu vjeç 34, lindur në Qesarat të Tepelenës e banues në Gjirokastër duke e nxjerrë në korridor e aty e kanë goditur me automatik, duke i shkaktuar plagë në gjoks e krahun e majtë e për rrjedhojë gjeti vdekjen.

Pas këtyre veprimeve kanë hyrë në fjetoren e ushtarëve duke goditur me automatik në muret e tavanit të saj. Kanë sjellë aty trupin e ushtarit të vrarë me automatik dhe kanë goditur dhe plagosur edhe 3 ushtarë të tjerë, që janë jashtë rrezikut, duke ju thënë se po të lëvizni do ta pësoni si ai dhe këtë e bëjmë për “Vorio Epirin” të cilën nuk e kemi harruar. Kanë kërkuar të dinë se ku është depoja e armatimit por ushtarët nuk e kanë treguar atë. Gjatë kësaj kohe kanë kontrolluar dhe kanë marrë 16 automatikë, 2 pistoleta në kasafortën e fjetinës duke i këputur drynat…”

Implikimi i Fredi Belerit dhe një letër e Antiterrorit shqiptar

Fredi Beleri është pyetur disa herë për këtë çështje, por ai ka pretenduar se e gjitha është sajuar nga mediat dhe madje në periudhën kur ka ndodhur ngjarja, ai nuk ka qenë as në Greqi dhe as në Shqipëri. Kandidati i dyshes Berisha-Meta që sot ndodhet prapa hekurave, pretendon se nga janari deri në korrik 1994 ka qenë në Qipro.

Beleri u mor dy herë në pyetje dhe u vu përballë dëshmive që e implikonin por i qëndroi fort alibisë se në atë kohë ndodhej në Qipro. Ndërkohë, në Formularin e Vetëdeklarimit të depozituar në KQZ për zgjedhjet e 14 Majit 2023, Fredi Beleri deklaron se është dënuar me dy vendime të formës së prerë, nga Gjykata e Apelit në Athinë dhe ajo e Apelit në Vlorë.

Për një nga veprat peanle, atë për “Dijeni (Bashkëpunim) në mbajtje arme pa leje nga personi i tretë”, ai ka qëndruar 18 muaj në qelitë e parabugimit në Janinë e më pas në Athinë. Periudha kohore konsiston nga viti 1995-1996, një vit pas ngjarjes së ndodhur në Peshkëpi.

Arrestimi dhe paraburgimi në këtë periudhë, dyshohet se ka lidhje me një sulm të dytë që paraushtrakët grekë, mes tyre dyshohet dhe Beleri, po përgatisnin në territorin shqiptar, shkruan newsbomb.al.

Hetimet e nisura nga prokurori Eugen Beci në vitin 2019 u ndërprenë dy vite më vonë, në vitin 2021, për shkak të mungesës së provave. Autoritetet greke nuk ju përgjigjën asnjëherë kërkesave nga Shqipëria për informacion për personat e ndaluar menjëherë pas Masakrës së Peshkëpisë, mes tyre dhe Fredi Beleri.

Po ashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë përmes shkresës Nr 1169/1 datë 16.05.2019 i ka kthyer përgjigje Prokurorisë sipas së cilës ka rezultuar se: nga verifikimet e kryera rezulton se në vend të dosjes gjyqësore është vetëm një fashikull bosh dhe në vend të vendimit është gjithashtu një fletë formati bosh.

Materialet që kompromentonin Fredi Belerin dhe do të sillnin një hetim të ri e të plotë për ngjarjen e 29 viteve më parë ishin zhdukur. Mesa duket, dikush ishte kujdesur që ato të mos gjendeshin dhe hetimet të dështonin, shkruan newsbomb.al.

Raporti sekret i Drejtorise se Antiterrorit ne Shqiperi/ © Credits youtube.com/@TopChannelAlbania
Raporti sekret i Drejtorise se Antiterrorit ne Shqiperi/ © Credits youtube.com/@TopChannelAlbania

Emisioni investigativ “Inside Story” zbuloi muaj më parë se zotëronte një dokument sekret të Antiterrorit shqiptar ku shprehimisht thuhej se vetë Beleri kishte shfaqur krenarinë e tij për ngjarjen e 10 prillit 1994 në Peshkëpi.

“Në datë 08.05.2007 evidentohet se Fredi Beleri është shprehur se ka qenë një ndër autorët e incidentit të ndodhur në Postën Kufitare të Peshkëpisë në Gjirokastër në vitin 1994. Ai është shprehur krenar për atë që ka bërë dhe nëse i kërkohet do ta bëjë përsëri”, thotë raporti që ishte dhe në dosjen hetimore të Prokurorisë.

Masakra e Peshkëpisë, si u lanë të paarmatosur rekrutët shqiptarë

Sulmi ndaj repartit kufitar pranë fshatit Peshkëpi të Dropullit, katër kilometra brenda kufirit shqiptar, solli vrasjen e dy ushtarakëve shqiptarë dhe plagosjen e tre të tjerëve. Ai u mor përsipër nga formacioni paraushtarak i një grupi nacionalist grek. Pika kufitare e Peshkëpisë kishte në ato kohë 130 rekrutë të rinj dhe të paarmatosur.

Pak para orës 02ː40 të mëngjesit, njëra prej skuadrave të organizatës “MAVI” ishte vendosur në një kodër përballë Pikës Kufitare nga ku kishin fushëpamje të qartë dhe kontrollonin të gjitha lëvizjet e komandës. Në bazë të informatave të dhëna nga “Seksioni i mbledhjes së informatave”, skuadra Pirro I u drejtua drejt komandës ushtarake dhe u përballë befasisht me ushtarin Arsen Gjini.

Ushtari 20 vjeçar nga fshati Seman i Fierit i ndjeu lëvizjet e grupit të sulmuesve dhe ju tha të mos afroheshin, sepse ai do të hapte zjarr me armën tip “Kallashnikov” që mbante në duar. Por pavarësisht kërcënimeve të tij, paraushtarakët grekë e dinin që arma ishte pa fishek dhe e qëlluan për vdekje.

Arsen Gjini u qëllua i pari me shotgun. Forcat komando kanë kapur brenda pak minutash gjithë komandën. Të radhës kanë qenë dy oficerët që ruanin hyrjen e postës, ata nuk kishin municion dhe janë neutralizuar lehtësisht. Më pas janë lidhur dhe dy oficerët e tjerë Qemal Stroka e Siat Selfo.

Një person tjetër ka shkuar në dhomën e komandantit Fatmir Shehu në katin e dytë të godinës dhe e ka nxjerr atë në korridor, ndërsa ky i fundit mbante një pistoletë “Tokarev” në dorë. Shehu u ka kërkuar paraushtarakëve grekë që të mos i preknin rekrutët, por ata e kanë qëlluar pa paralajmërim në gjoks dhe i kanë shkaktuar vdekjen.

Deshmoret e Atdheut, Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini
Deshmoret e Atdheut, Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini

Sulmuesit kanë shkuar dhe në dhomën ku flinin rekrutët e rinj dhe u kanë thënë të mos lëviznin, ose në të kundërt do të vriteshin. Edhe rekrutët ishin të paarmatosur. Pasi u është kërkuar të tregonin se ku ishte depoja e armatimit, asnjë prej tyre nuk ka treguar dhe tre nga rekrutët janë plagosur.

E gjithë ngjarja ka zgjatur rreth 20 minuta dhe autorët janë tërhequr nga rruga nga e cila erdhën, bashkë me një oficer të SHIK-ut të cilin e kishin marrë peng si garanci se nuk do të sulmoheshin. 200 metra larg komandës atë e kanë liruar dhe vetë paraushtarëkët janë larguar thellë drejt kufirit grek.

Rekrutët e rinj të repartit të Peshkëpisë nxituan që t’u jepnin ndihmën e parë Fatmir Shehut e Arsen Gjinit, por gjithçka kishte përfunduar. Në komand nuk kishte mbetur më as armatim, pasi sulmuesit kishin boshatisur paraprakisht dhe depon, për të parandaluar një kundërsulm të mundshëm.

Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, kurse drejtësia për ta nuk është bërë as sot e kësaj dite!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT