“Kush i kap i pari”/ VIDEO, mënyra ‘çnjerëzore’ si po shpërndahen dhomat e konvikteve për studentët në Tiranë

Teksa nisja e vitit të ri akademik po fillon, studentët që kanë zgjedhur fakultetet në Tiranë kanë nisur të vinë në kryeqytet duke zgjedhur dhe akomodimin.
Përveç qirave të larta, nga stresi nuk kursehen as ata studentë që kanë zgjedhur të qëndrojnë në konvikte. Një video e shpërndarë në media tregon parregullsitë me të cilat studentët përballen në shpërndarjen e dhomave të këtyre godinave.
Në pamjet e kapura në konviktet e fakultetit të Shkencave Mjekësore, shihet se si personat përgjegjës të bashkisë po shpërndajnë pa rregull dhe pa radhë për studentët, dhomat e konvikteve.
Sipas studentëve, nuk ka asnjë radhë në shpërndarjen e çelësave dhe se dhënia e dhomës bëhet kush i kap i pari numrin nga dora e personit që po i shpërndan. Studentët nisin një “luftë” me njëri-tjetrin për të kapur jo vetëm dhomat e mira, por në fund të fundit, për të kapur të paktën një dhomë.
I njëjti imazh na shfaqet shpesh edhe në pikat ku shpërndahen abonetë e studentit, ku studentët qëndrojnë të grumbulluar për orë të tëra dhe me abone pajiset kush është më i shkathët.