Milan Radoiçiç pranoi autorësinë e sulmit në Kosovë/ Reagon për herë të parë Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar për herë të parë pasi Millan Radoiçiçi pranoi autorësinë e sulmeve të 24 shtatorit në Kosovë.

Vuçiç deklaroi se Radoiçiç do duhet të përgjigjet para organeve kompetente shtetërore për ngjarjet, ndërsa shtoi se ai nuk kishte asgjë për të thënë për sulmin.

“Unë jam i sigurt se autoritetet kanë arsye të bëjnë pyetje, dhe se a do ta ndjekë penalisht prokurori dhe për çfarë krimi, kjo nuk është pyetje për mua. Është pyetje për prokurorin dhe organet e tjera kompetente shtetërore. Nëse dikush mendonte se ai do të ikte ose do të fshihej, ai nuk do ta bëjë”, tha Vuçiç.

Ai gjithashtu vlerësoi se Radoiçiçi është “krenar” për rolin e tij në sulmin e armatosur dhe se “ai dhe djemtë që morën pjesë në sulm, e shohin ngjarjen në një mënyrë tjetër.

“Nuk mendoj se dikush ka të drejtë ta vrasë dikë, do të duhet të bëhen disa pyetje, ndoshta ai nuk ka pasur rol në atë pjesë, pra prokurori do të gjejë diçka tjetër, ose nuk do të gjejë gjë, kjo është një pyetje për prokurorinë. E di që policia duhet të mbledhë informacione, pastaj vjen prokurori dhe merr vendim”, tha Vuçiçi.

Millan Radoiçiç, përmes avokatit të tij, pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin e ndodhur më 24 shtator, në Banjskë. Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiç i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë.

Kosova, përmes një rezolute të miratuar në Kuvend, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për Serbinë lidhur me rolin e saj në këtë sulm. Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT