“Nuk i lejoi policia e Kosovës të ndërhynin”/ EULEX përgënjeshtron Vuçiç: Më 24 shtator…

EULEX ka reaguar pas akuzave të ngritura nga Serbia për Kosovën, se gjatë përplasjeve të 24 shtatorit, nuk u lejua të ndërhynte nga policia e Kosovës.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) hodhi poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë me anë tën jë deklarate, ku shprehen se policia e Kosovoës nuk ka ndaluar asgjë.

“EULEX-i në asnjë mënyrë nuk është ndaluar që të marrë pjesë apo të vëzhgojë operacionet që janë kryer nga Policia e Kosovës më 24 shtator. Pas sulmit të kryer ndaj Policisë së Kosovës dhe më pas intervenimit të Policisë, patrullat mobile të njësisë policore të EULEX-it dhe Njësisë policore rezervë, por edhe pjesëtarë të tjerë të stafit të EULEX-it kanë qenë në kontakt të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe kanë shkuar në zonën përreth manastirit të Banjskës në veri të Kosovës”, thuhet në reagim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, kanë thënë se Kosova nuk e lejoi EULEX-in që të marrë pjesë në operacionin policor, pasi një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Grupi i maskuar dhe i armatosur, që sipas autoriteteve në Kosovë përbëhej prej rreth 30 persona, fillimisht sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duek i marrë jetën efektivit Afrim Bunjaku, teksa autoritetet e rendit nisën një aksion për heqjen e një barrikade në rrugë.

Më pas, sulmuesit u strehuan në manastirin e Banjskës dhe prej aty u përleshën gjatë gjithë ditës me zyrtarët policorë. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, tre sulmues të dyshuar janë vrarë.

Si Vuçiç, ashtu edhe Petkoviç, kanë pretenduar se dy serbë janë vrarë pasi janë dorëzuar dhe kanë kërkuar që EULEX-i të përfshihet në hetime dhe që ky mision të ndërmjetësojë lejimin e hetuesve serbë të kryejnë autopsinë e sulmuesve të vrarë.

“Misioni ka monitoruar dhe do të vazhdojë të monitorojë aktivitetet e kryera nga autoritetet në Kosovë që lidhen me sulmin, sikurse hetimet, konfiskimet dhe bastisjet. Në përputhje me mandatin që kanë dhe me legjislacionin e Kosovës, përfaqësuesit e EULEX-it ishin të pranishëm gjatë kryerjes së autopsisë, në cilësinë e monitoruesve”, u tha në përgjigjen e EULEX-it.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT