“Qeveria socialiste e jahteve të miliarderëve”, Nurellari debaton me Bojaxhiun, ekonomisti: Ç’janë këto pupulizma, ata paguajnë akcizë

Adri Nurellari, studiues dhe këshilltar politik, është përfshirë në debatin publik për furnizimin me karburant të jahteve të miliarderëve në Portin e Durrësit. Ai ironizon qeverinë socialiste, duke thënë se miliarderët janë ata që vuajnë më shumë me superjahtet e tyre.
“Strategjia e qeverisë aktuale shqiptare për të nxitur turizmin elitist është ofrimi i karburantit më të lirë në Mesdhe për superjahtat e miliarderëve të botës (ndërkohë që qytetarët taksapagues e blejnë me çmimin më të lartë në Evropë).
Është bukur të shohësh qeverinë “socialiste” duke u përkushtuar atje ku ndihma është më e nevojshme—në superjahtat e miliarderëve. Sepse siç e dimë të gjithë, miliarderët janë ata që “vuajnë” më shumë në këto kohëra të vështira e të turbullta”, shkruan Nurellari.
“Ah, më në fund një politikë që merret me problemet e vërteta të Shqipërisë: mungesa e stacioneve të karburantit të lirë për superjahtat. Mos u merrni me rrugët, shkollat dhe spitalet, ato mund të presin!
Sllogani i ardhshëm zyrtar i turizmit elitar ka për të qenë: “Mos harroni të ndaleni dhe mbushni rezervuarin tek ne, gjatë rrugës tuaj për në Monako!”, përmbyll Nurellari.
Këtij komenti i është përgjigjur ekonomisti Gjergj Bojaxhi, i cili e quan populizëm deklaratën dhe thotë se mjetet lundruese që futen në Portin e Durrësit paguajnë akcizë, por jo TVSH sepse nuk kanë lidhje me tregun e brendshëm.
“Po c’jane keto populizma mor Nurellar. E mban veten edhe per te djathte liberal. Malli taksohet kur kalon traun dhe futet ne tregun e brendeshme. Avionet ne rinas qe furnizohen jet fuel gjithashtu trajtohen ne te njejten menyre”, shkruan Bojaxhi.
“Dhe sa per dijeni mjetet e lundrimit qe kalojne tranzit ne Shqiperi paguajne aksize nafte por jo tvsh se skane te bejne me tregun e brendshem. Dhe mos thuaj e pashe tek topi se ty ste falet ky justifikim. Eshte pergjegjesia jote per referencat qe perdor”, sqaron ekonomisti.
Ky debat mes të dyve vazhdon me disa reagime e kundër-reagime. Nurellari i thotë Bojaxhiut se ai po mbron politikat e qeverisë për hidrokarburet, ndërsa ky i fundit i kthehet duke i thënë se gjithçka që ai shkruan është tymnajë dhe zhurmë akutike për problemet reale.




