“U grindën dhe më pas e qëlloi”/ Detaje nga vrasja e Klodiana Vefës: Burri u arratis me një “Golf” të bardhë

Detaje të reja janë bërë publike nga vrasja e 35-vjeçares Klodiana Vefa në Itali.
Bëhet me dije nga mediat e huaja se Vefa ishte nënë e dy fëmijëve minorenë. Sipas dyshimeve të para të policisë mësohet se i dyshuari kryesor për këtë ngjarje të rëndë është bashkëshorti i saj.
Dyshimet e hetuesve fokusohen pikërisht te bashkëshorti i saj, nga i cili gruaja po ndahej dhe nuk jetonin më bashkë. Burri është ende i pagjurmueshëm dhe sipas informacioneve fillestare ai është arratisur me një “Golf” të bardhë.
Për këtë arsye, karabinierët nisën kërkimet duke ngritur pika kontrolli në të gjithë Val d’Elsa, në zonën midis Poggibonsi, në provincën e Sienës dhe në zonën e Empolit. Policia ka kontrolluar edhe disa shtëpi fermash të braktisura në zonën e krimit, deri tani pa asnjë sukses.
35-vjeçarja me leje të rregullt qëndrimi, u vra dje në mbrëmje, në një rrugë periferike të Kastelfiorentinos, pak pas orës 20:00.
Alarmi u ngrit nga disa banorë të zonës, të cilët kanë dëgjuar shpërthimin e një arme.
Pak minuta më vonë, një ambulancë mbërriti në vend, por me gjithë përpjekjet e bëra për ta risjellë në jetë, mjekët nuk mundën të bënin gjë tjetër veçse konfirmonin vdekjen e saj.