Deputetët u ngujuan dje në Kuvend, Berisha paralajmëron grevë urie: Jemi të gatshëm…

Seanca e djeshme parlamentare u shty, deputetët e opozitës bllokuan dhe rrwzuan karriget e ministrave. Për shkak të tensioneve, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj njoftoi se seanca nuk do të zhvillohet.
Teksa deputetët e mazhorancës u larguan dhe automati i Kuvendit u fik, deputetët e opozitës megjithatë vijuan të qëndronin brenda ambienteve të Kuvendit. Madje në formë proteste, ata filluan edhe të këndonin këngë patriotike, e mes tyre edhe kënga “Mora Fjalë” që i kushtohet heroit legjendar Adem Jashari.
Gjatë ditës së sotme, në konferencën e përjavshme me gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar grevë urie.
Berisha: Absolutisht greva e urisë është përmendur, ashtu siç thoni ju. Plotësisht! Ka gatishmëri të vërtetë dhe është një opsion. Nuk ka diskutim, kjo është betejë. Ne e kemi nisur këtë, kur ai de facto na asgjësoi ne në parlament. Kur arriti gjer aty sa të na caktojë përfaqësuesin tonë në komisionin e reformës elektorale.
Çfarë mund të presësh më shumë se kaq? Ka një eliminim më të fortë se ky? Pra, ne caktuam Oerd Bylykbashin, një ekspert i shquar, i njohur edhe nga komuniteti ndërkombëtar për njohuritë e tij në të drejtën elektorale, dhe ai thotë unë dua Enkelejdin. Jo atë, nuk e pranoj, pranoj Enkelejdin. Pranon pengun. Kështu pastaj nuk mund të ecet.
Ai këtë situatë e krijoi vetë, për këtë situatë do përgjigjet. Ky është njëri aspekt, por çdo aspekt tjetër është i tillë. Merrni ju qëndrimin ndaj Kosovës. Nuk mund të pranojmë ne kurrë këtë. Ne kemi qëndruar në një pozicion të vetëpërmbajtur sepse ne nuk duam të ndërhyjmë në punët e brendshme të Kosovës. Në raste madhore kur cenohet interesi kombëtar, siç janë çështjet e territorit, sigurisht e kemi këtë të drejtë.