Diplomati austriak: Ekziston rreziku që tensionet në Kosovë të shndërrohen në një konflikt të armatosur

Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, njëherit ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën beson se Kosova aktualisht po përjeton “krizën më të rrezikshme” që nga shpallja e pavarësisë dhe se gjërat lehtë mund të dalin jashtë kontrollit dhe të shkatërrojnë gjithçka që u arrit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Duke komentuar ngjarjet e 24 shtatorit në Manastirin e Banjskës, Petritsch, thekson se konfrontimi vetëm do ta kthej rajonin prapa, prandaj ajo që duhet të ndodh tani, sipas tij, është një përpjekje e re e Brukselit për të rikthyer të dyja palët në tryezën e bisedimeve.

“Normalizimi është thelbësor, sepse do të krijonte parakushtet për përparim ekonomik. Kjo është ajo që njerëzit duan, jam i sigurt”, ka thënë ai në një intervistë për Demostat.

Diplomati austriak ka vlerësuar se ekziston rreziku që rritja e tensioneve në terren të shndërrohet në një konflikt të armatosur.

“Ekziston një rrezik i tillë, por Brukseli dhe Uashingtoni janë të gatshëm të parandalojnë çdo përshkallëzim. Ne nuk duhet të kthehemi në luftërat e së kaluarës”, theksoi ai.

I pyetur se kush është fajtori për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, Petritsch tha se në çdo tension “gjithmonë ka dy palë”.

“Unë e shikoj këtë si një vëzhgues i jashtëm dhe më duhet të them se BE-ja duhet të veprojë më me vendosmëri dhe të mos lejojë që situata e sigurisë të përkeqësohet më tej”, ka shtuar ai duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht BE-ja dhe SHBA-ja, duhet të detyrojnë të dyja palët t’i kthehen dialogut.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT