Dosja “Partizani”/ “Sali Berishës po i vjen ora e arrestimit”, avokatja e ish-kryeministrit trazon rrjetin

Avokatja e re e caktuar nga GJKKO për të mbrojtur kryedemokratin Sali Berisha, Valentina Teodoresku ka sjellë reagime të shumta nga deputetet e PD-së.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka ka ngritur akuza, duke thënë se po bëhet “drejtësi politike”.
“A doni më për drejtësinë e re politike????? Ja avokatja që Millonai e drejtësisë së re politike i ka caktuar Sali Berishës”, shkruan Noka.
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka theksuar se SPAK ka ngatrruar listën e avokatëve me të patronazhistëve.
“Tipike! Patronazhiste! Enveriste! Ish-hetuese e komunizmit ! Analfabete ! Keta qe moren ne qafe nje popull gjate diktatures , jane drejtesia e reformuar e Rames! Ish-hetues i diktatures prokurori i Berishes. Ish-hetuese e diktatures dhe “avokatja” e Berishes!”, shkruan Paloka në Facebook.
Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi e ka quajtur avokaten si manjake të së kuqes.
“Pas atij ‘Khmerit të kuq’ filozof, Gjykata përcakton si avokate mbrojtëse të Z. Berisha një ‘Manjake të së kuqes’. Valentina Teodoresku. Deklaron që ka punuar në hetuesi!!!!! Edhe kjo filozofe!!!! Shkruan në profilin e vet: ‘Jam duke shkruar një material për qëniet njerëzore’???? Çfarë komedie e shpifur?! Shihni postimet e saj.”- shkruan Boçi.
Në seancën e tretë, pas zëvendësimit të Artan Simonit, GJKKO caktoi dy avokate shtetit për Berishën, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia. Berisha është lënë në detyrim paraqitje dhe ndalim për dalje jashtë shtetit, pasi hetohet për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Por të dyja avokatet dhanë dorëheqjen nga çështja dhe nga GJKKO është caktuar avokatja Valentina Teodoresku. Ndërkohë në pranga u vu dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili përveç korrupsionit akuzohet dhe për veprën penale të pastrimit të parave. Të dy janë pjesë e hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.