E vërteta e konfliktit për pronat në Kepin e Rodonit, pse nisi sherri ku u përfshi dhe Mark Frroku

Një konflikt masiv ka ndodhur në zonën e Kepit të Rodonit në Durrës për çështje pronësie. Në këtë mes është përfshirë edhe ish-deputeti Mark Frroku, i cili sëbashku me 7 të tjerë është vënë nën prangat e policisë.

Sipas uniformave blu, ata që janë arrestuar janë banorë të fshatit Shetaj: Bajram Kaculi, Erjon Reka, Ylli Reka dhe Orgito Reka. Mbi këta emra rëndon vepra penale “Plagosje me dashje” dhe “Vetëgjyqësi”.

Po ashtu janë arrestuar dhe përfaqësuesit e kishës françëskane: Mark Frroku, Martin Lazeri, Pal Doda dhe Antonio Lazeri.

Në sherrin e ndodhur mes dy palëve ditën e djeshme, kanë mbetur të dëmtuar për shkak të përdorimit të sendeve të forta. Madje autoritetet ngrenë dyshimet se me armë zjarri ka qëlluar shoferi i Mark Frrokut, Besnik Toma. Në vendngjarje u gjet një gëzhojë. Megjithatë këto deklarata janë hedhur poshtë nga vetë Mark Frroku, i cili dha dëshminë e tij për konfliktin e Kepit të Rodonit.

Ai ka deklaruar se nuk mban mend si nisi konflikit, por ka mohuar të jetë përfshirë duke thënë se prezenca e tij në zonë ka qenë për shkak të angazhimit me disa përfaqësues të Kishës Katolike, e cila raportohet si palë e përfshirë në këtë përplasje. Ai ka shtuar se ka kontratë për menaxhimin e pronave të kishës.

“Kam kontratë për menaxhimin e pronave të kishës, por nuk e di kush është zënë dhe pse nisi sherri. Nuk i mbaj mend…nuk di kush qëlloi dhe çfarë bënë…”, tha Frroku.

Megjithatë, sipas burimeve nga policia, përfshirja e tij është e dëshmuar me pamje filmike.

Sipas asaj që njoftoi policia konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.

Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte.

Konflikti mësohet se ka ndodhur mes një personi të quajtur Bajram Kaculi, i cili ka edhe një pronë në hyrje të Parkut dhe rojeve të Parkut të Kepit të Rodonit. Këta të fundit dyshohet se kanë përdorur edhe pistoletat, në tentativë për të larguar familjen Kaculi.

Mësohet se i gjithë konflikti është për një pronë, e cila ka dy certifikata pronësie. Një nga familja Kaculi dhe një tjetër nga Kisha Francceskane.

Përfaqësuesja e Kishës Katolike në këtë zonë zonja Ana Shtjefni, ka bërë me dije për mediat se personat që kanë pretenduar se janë përfaqësues të Kishës, nuk janë të tillë.

Ajo ka deklaruar se personat që kanë nisur rrethimin e zonës dhe nuk janë përfaqësues të Kishës dhe as të autorizuar nga kjo e fundit, dhe se sipas Shtjefnit kanë dashur vetëm të përfitojnë nga ky konflikt.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT