GJKKO i bllokoi pasaportën, Berisha ankimon vendimin/ Avokati Gjokutaj: Është nul…

Avokatët e Sali Berishës depozituan sot ankimimin për vendimin e Gykatës së Posaçme. Avokati Genci Gjokutaj ka thënë për Top Channel se “vendimi është nul”.
Gjykata e Posaçme konfirmoi katër ditë më parë masën detyrim paraqitje dhe bllokim të përdorimit të pasaportës për ish-kryeministrin Sali Berisha. Sipas vendimit, Berisha duhet të paraqitet në gjykatë të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.
Ish-kryeministri refuzoi të paraqitet në gjyq, me argumentin se nuk mund të shkelë Kushtetutën, duke iu referuar imunitetit që ka si deputet i Shqipërisë.
Berisha dyshohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim. Sipas hetimeve të SPAK të dosjes “Partizani”, Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin, për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv.
Për Malltezin, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi masën “arrest me burg”, ndërsa për ndërtuesin Fatmir Bektashi u dha masa “detyrim paraqitje”.
Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Bektashi, për t’i pastruar këto para./ Top Channel