“Lufta” për 20%, Bido: Çamëria e vetme e mbetur në Shqipëri bëhet dygjuhëshe artificialisht nëse…

Drejtori i Përgjithshëm i Arkiva, Ardit Bido, ishte i ftuar këtë të hënë në emisionin “Opinion” ku u ndal për të folur tek “lufta” që po bëhet për minoritetet në censusin e këtij viti.

Fillimisht Bido tregoi se ligji për pakicat që ka Shqipëria përcakton të drejta kolektive për minoritetet. “Të drejtat kolektive nuk janë në asnjë konventë ndërkombëtare. Të gjitha konventat flasin për të drejta individuale”, tha Bido.

Por çfarë do të thotë kjo?

Nëse në një bashki dalin më shumë se 20% që i përkasin një grupimi të caktuar etnik, atëherë do legjitimohet që në atë bashki, me kërkesë të një grupi individësh që ende nuk është përcaktuar se sa, duhet të ketë tabela dygjuhëshe, duhet të ketë gjuhë zyrtare gjuhën e asaj pakice, duhet të ketë ngritjen e flamurit të asaj pakice në institucionet shqiptare dhe duhet të ketë shkolla dygjuhëshe.

“Pra 20 përqindëshi legjitimohen këto të drejta”, tha Bido.

Sipas Bidos në Himarë vetëm 14.5% e popullsisë është greke, ndërsa në Konispol 13%. Sipas tij, po kërkohet të bëhet vetëdeklarim i rremë për të plotësuar këtë 20%.

“Në të dyja rastet është 14.5% në Himarë dhe jo më shumë se 13% në Konispol. Në çdo rast nuk e kalon 20%. Në fund trajtoj se si po kërkohet që të bëhet vetëdeklarim i rremë për të plotësuar këtë 20% në mënyrë që të na bëhet kjo hartë”, tha Bido.

Me anë të një harte ai tregoi edhe se si ndryshon harta nëse arrihet kjo.

Ardit Bido: Kjo është bashkia sot e dygjuhëshe e zonës që është Bashkia Finiq me të gjitha drejtat e pakicës. Jemi të gjithë shumë dakord, sidomos unë që vij nga kjo zonë, kanë të drejtën e tyre minoriteti dhe ta ketë dhe e mbështesim këtë të drejtë. Si simbolikë është shumë e bukur Blendi. Imagjino, në Çamëria e vetme e mbetur në Shqipëri bëhet dygjuhëshe artificialisht. Dhe Himara me një popullsi dërrmuese shqiptare i bie të bëhet dygjuhëshe.

Blendi Fevziu: Që ta shpjegoj për publikun. Me të kuqe janë bashkitë normale. Me blu bashkia minoritare dygjuhëshe e Finiqit. Rrezikon që në census nëse deklarohet në mënyrë fiktive mbi 20% edhe Konispoli dhe Himara bëhen blu.

Ardit Bido: Praktikisht Saranda dhe Delvina mbeten si dy ishuj në një hapësirë dygjuhëshe që do të kishte në këtë rast hipotetik flamurin grek nga Llogaraja  deri në Qafë Botë dhe tabela dygjuhëshe të Kuçit që do të bëhet Kutsit, të Borshit që do bëhet Borsi…/tvklan.al

Back to top button
LAJMET E FUNDIT