“Në atë klinikë vriten fëmijë”/ Gjyshi i 3-vjeçarit që vdiq në Tiranë: Nuk do e fal gjakun e nipit

Gjyshi i 3-vjeçarit që ndërroi jetë tragjikisht pas një vizite tek dentisti ka folur sërish për ngjarjen e rëndë, duke paralajmëruar edhe vetgjyqësi.
Ai akuzoi mjekun Roland Xhaxho dhe vajzën e tij në lidhje me vdekjen e nipit, pasi sipas tij, doza e lartë e narkozës shkaktoi vdekjen e të miturit. Ai shton se kjo u konfirmua edhe nga mjekët në spitalin “Nënë Tereza”, atje ku edhe 3-vjeçari ndërroi jetë.
Gjyshi shprehu se nuk do e falë gjakun e nipit nëse drejtësia nuk shkon në vend.
“Sikur ta kishit sjellë dhe dy minuta më parë, do kishte shpëtuar më thanë mjekët. Nëse dentisti nuk do ta kishte nxjërë djalin aq vona nga klinika e tij, Roland Xhaxhua, ai qeni, nuk do kishte pësuar asgjë. Ai ma vrau djalin dy herë, njëherë në sallë dhe njëherë që e nxori aq vonë.
Ne e çuam tek klinika për të mjekaur disa dhëmbë dhe dhëmballë sepse kishte disa gurëza. Kontaktuam më parë me doktorin dhe na tha që nuk kishte probleme farë. Kushtonte 1 mijë euro për dhëmbët dhe nja 300 e ca euro për anestezinë. Ai e futi djalin nga ora 10 e mëngjesit dhe e nxori nga ora 7 e pasdites. Mbi 9 orë narkozë ka pësuar djali aty sipas mjekëve aty. Djalin na e nxori në gjendje të rëndë. Ne e pyesnim nga dera si është djali, është mirë thoshte, mos u mërzisni, po punojmë.
E ka nxjerë pastaj djalin thuajse në gjendje komë. I varej koka djalit. Merreni tha se për 10 minuta i del narkoza. Dhe ne menduam se do i dilte. 14 ndërhyrje në gojë, është një çmenduri e rrallë. Djalit i dhimbte pak dhëmballa dhe ne për ti hequr dhimbjen e dërguam. Ai e mori në mëngjes, i bëri analizat e gjakut dhe ne i kërkuam siguri dhe kujdes. Na dha garanci maksimale. Atje është një klinikë që vret fëmijë. Edhe mjekët e spitalit ishin të frikësuar nga ky kriminel. Në sy të atij nuk na tregonin se çfarë kishte djali, shikonin njëri-tjetrin në sy dhe nuk flisnin. Ai e ka pranuar se ka bërë gabim, por nuk do të thotë se duhet të jetë i lirë kur ka marrë jetën e një fëmije.
Unë nuk do e fal gjakun e nipit, duhet të informohej publiku për çfarë kishte ndodhur. Mund të vriten të tjerë atje.”- tha ai.