Nën akuzë për korrupsion/ Flamur Noka dhe Jozefina Topalli i dalin në ‘mbrojtje’ Sali Berishës

Ish-kryeministri Sali Berisha është zyrtarisht i pandehur për drejtësinë shqiptare, pasi GJKKO vendosi ndaj tij masën “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit”, nën akuzë për korrupsion pasiv në lidhje me dosjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Nga ana tjetër, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi u arrestua mbrëmjen e djeshme nën akuzë për korrupsion pasiv dhe pastrim parash për të njëjtën çështje.
Për këtë ngjarje, ka reaguar “krahu i djathtë” i Berishës, deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka, sipas të cilit, ish-kreyministri po sulmohet në përpjekje për të zhdukur opozitën.
“Demokracia në rrezik. Neodiktatura në pamundësi për të zhdukur opozitën me të gjitha format e përdorura deri tani vendosi të hedh hapat tipik të viteve 1945…. ndaj liderit të saj. Po tentojnë të instalojnë me dhunë diktaturën dhe likuidojnë po me dhunë opozitën. Asgjë nuk na step. Përballja me regjimin është rruga e çdo njeriu të lirë që lirisë i thotë liri, dhe demokracisë i thotë demokraci” tha ai.
Por përveç Nokës, në mbrojtje Berishës i ka dalë edhe ish-bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, Jozefina Topalli, e cila shprehet se ky moment mund të kthehet hap vendimtar për të ndryshuar situatën në Shqipëri.
“Përdorimi i kërcënimit, ndalimit, arrestimit apo ndalimit të lëvizjes ndaj kryetarit të opozitës dhe familjes se tij është një praktikë ekstreme, që dhunon në mënyrë ekstreme të drejtat e njeriut, minon demokracinë dhe stabilitetin e një shoqërie.
Kjo praktikë përdoret nga regjimet autoritare, apo grupe ekstreme, që kërkojnë të shtypin opozitën politike të një vendi. Në shtetin e prokurorëve qesharakë, ndodh që të urdhërojnë ndalimin e lëvizjes së deputeti, pa lejen e parlamentit, në shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës, si një kapërcim i pafalshëm i shtetit të së drejtës dhe si fakt i qartë i zbatimit të urdhrave politik.
Përdorimi politik i drejtësisë kundra opozitës së një vendi, e veçanërisht kundra kryetarit të opozitës dhe familjarëve të tij është hapi më i rrezikshëm për stabilitetin e vendit, por mund të kthehet dhe si hap vendimtar për të ndryshuar situatën nga një shtet i korruptuar dhe i kriminalizuar në një vend që interesim publik e ka të shenjtë”, shprehet Topalli.