Një tjetër kryebashkiak i PS nën hetim nga SPAK

Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për kryebashkiakun socialist të Këlcyrës Klement Ndoni. Burime pranë akuzës thanë se Ndoni po hetohet për korrupsion zgjedhor, ndërsa ka nisur edhe thirrja e personave që vlerësohen se kanë dijeni për hetimin.
Të mërkurën e kaluar, në SPAK shkoi për t’u marrë në pyetje një 75-vjeçar. Në denoncimin e bërë prej tij përpara zgjedhjeve të 14 majit, pretendoi se funksionarë vendor në këtë Bashki, i kanë ofruar ndihmë ekonomike dhe punësim të djalit të papunë në këmbim të votave të familjes së tij në favor të kandidatit socialist për kreun e Bashkisë.
Sipas denoncuesit, episodi kishte ndodhur në zyrat e Bashkisë vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale. Këtë të martë, në pyetje është marrë një tjetër qytetare për të cilën ka dyshime se i është ofruar mbështetje në formë ryshfeti kundrejt votës për kryebashkiakun në 14 maj.
Ndoni rezulton i kallëzuar edhe më parë në prokurori me akuzat për shpërdorim detyre, lidhur me disa projekte në qytet apo emërime në sektorin publik.