Pas Samitit të Berlinit, një tjetër eveniment do të mbahet në Tiranë për herë të parë (DATA)

Shqipëria do të presë për herë të parë takimin e Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit. Lajmin e ka njoftuar kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook, teksa ka shpërndarë një video me bukuritë natyrore të vendit, ku shton se takimi do të mbahet pranverën e 2024-ës.
“Mirëmëngjes dhe me këtë kartolinë të prezantimit të Shqipërisë, për herë të parë në histori, si vendi pritës i takimit të shtatëdhjetë të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit që do të mbahet në Tiranë pranverën e vitit 2024, ju uroj ditë të mbarë.”, ka shkruar kryeministri krahas videos.
Ky është një tjetër eveniment që do të zhvillohet në Tiranë për herë të parë, pasi pak ditë më parë u zhvillua edhe Procesi i Samitit të Berlinit.
Liderët e Bashkimit Evropian (BE) bënë thirrje në Tiranë që të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian.
Gjatë një samiti njëditor të Procesit të Berlinit, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz tha se “është shumë e qartë se 20 vjet pasi këtyre vendeve iu premtua pranimi, kjo duhet të ndodhë shumë shpejt”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se samiti dërgoi një mesazh të fuqishëm për përkushtimin e BE-së për zgjerim dhe se qasja në tregun e brendshëm duhet të rritet, por kjo kërkon edhe reforma, sipas saj.
Ajo tha se ato vende që janë të gatshme për reforma, do të marrin fonde për investime nga BE-ja.
“Dyert tona janë të hapura, por duhet të bëhet më shumë”, tha ajo.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.
Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.