“Pashë flakët, njerëzit po bërtisnin”/ Dëshmitë e punëtorëve të fabrikës së armëve në Gërdec: Si ndodhi tragjedia

Ditën e djeshme është mbajtur seanca e parë për shqyrtimin e dosjes së Gërdecit, ku kanë dëshmuar familjarët e viktimave të shpërthimit të 15 marsit 2008.
Në seancën e parë ishin thirrur të dëshmonin 17 persona, por kanë mbërritur vetëm 11 prej tyre, të gjithë dëshmitarë okularë të tragjedisë së 15 marsit të vitit 2008. Kanë qenë prindërit e Erisonit të vogël, që humbi jetën nga ai shpërthim, të cilët kanë dëshmuar në lidhje me gjithçka dinin dhe mbanin mend nga momenti që i mori jetën djalit, që në atë kohë ishte në klasën e parë.
Zamira Durda tregoi detaje mbi shpërthimin dhe punën që kryhej në fabrikë, ndërsa pyetjes së avokatëve të Mediut se, “pse i jeni qepur ish-ministrit Mediut”, Durda iu përgjigj duke thënë se nuk kam asgjë personale, por institucionale.
“Përgjegjës për tragjedinë është shteti”, – tha Durda.
Në fund të dëshmisë së saj, kërkoi nga gjykata që të gjente kush është përgjegjës për vdekjen e fëmijës saj 6- vjeçar. Ajo i kërkoi llogari trupës gjykuese se pse fletoret e klasës së parë të të birit janë bosh, ndërsa kërkoi që vendimin ta shkruajnë aty. Tjetër temë debati mes çiftit Durda dhe avokatëve të Mediut ishte punësimi i djalit të madh të madh, ku Feruzani tha se nuk ka punuar në fabrikë, ndërsa e shoqja pranoi punësimin e tij.
Zamira Durda ka sjellë dy fletore të tijat në gjykatë, duke ia lënë trupit gjykues në dorë dhe duke iu thënë: “Shkruajeni këtu vendimin”!
Fejzi Shehu, ish-roje në fabrikën e armëve tregoi se kishte punuar dy ditë në fabrikën e demontimit, por tha se ka parë momentin kur karroca e salduar që përdorej për transportin e predhave, ka marrë flakë ditën e ngjarjes më 15 mars.
“Kam punuar në fabrikë më 14 dhe 15 mars. Isha roje te porta kryesore e fabrikës së demontimit. Aty futeshin punëtorët dhe dilnin kamionët. Ditën e shpërthimit isha në punë, tek porta kryesore dhe më erdhi një fëmijë i një personi që kërkonte t’i jepte ushqimin të ëmës. Qesen e mora unë dhe jam futur brenda deri tek porta e dytë, aty pashë flakën pranë një karrocë dhe njerëzit filluan të bërtisnin, për shkak të barutit flaka u përhap me shpejtësi dhe ika me vrap.
Më pas aty kam mësuar se bëheshin saldimet e karrocave të dorës nga Qemal Deliu. Kam parë Qemalin që atë ditë ka dalë dy- tri herë jashtë për të salduar karroca dhe të gjitha lëvizjet bëheshin me lejen e përgjegjësit. Emrin e Qemalit e kam mësuar pas shpërthimit, sepse nuk e njihja pasi kisha vetëm dy ditë që punoja në fabrikë”, – ka thënë Fejzi Shehu mes të tjerash.
Ish-punonjëset Alketa Hazizi dhe Drita Cani thanë se baruti ishte hedhur kudo dhe se në fabrikë nuk kishte masa sigurie. Dëshmitarët tregojnë gjithashtu se disa prej tyre nuk kishin as kontrata pune dhe nuk kishin bërë trajnime se si bëhej çmontimi i armëve. Ata kanë dhënë detaje si bëhej demontimi i armëve në ditë të zakonshme pune, por edhe nga momentet e tmerrit kur ndodhi shpërthimi tragjik.
“Aty kam punuar unë, djali dhe bashkëshorti. Nuk kemi pasur kontrata pune, kishim vetëm një përgjegjës me emrin Vangjel. Ne i shkarkonim nga kamionët hapnim arkat dhe më pas me mjete të ndryshme si sqeparë dhe dalta i hiqnim diabolat dhe me çekiç bënim nxjerrjen e barutit. Pasi bëhej ndarja predhat, largoheshin me fadroma, ndërsa baruti futej në thasë dhe dërgohej te magazina”,- tha Drita Cani.