Procesi i Berlinit në Tiranë, çfarë përfaqëson “Piramida” sot në 115 vjetorin e ditëlindjes së Enver Hoxhës?

Nga Aranit Muraçi

16 tetori 2023 do të jetë një ditë historike për Tiranën dhe Shqipërinë. Fakti që është zgjedhur Tirana për të mirëpritur Procesin e Berlinit, në daljen e parë të këtij proçesi nga kryeqyteti gjerman nuk mund të quhet aspak rastësi, aq më tepër, kur vetëm në dhjetor të vitit të kaluar në kryeqytetin shqiptar u mbaj samiti i BE-së.

Pse Tirana?

E para, Tirana duket se ka fituar reputacion në kancelaritë perëndimore, si faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon dhe kjo është arsyeja kryesore pse udhëheqësit europianë kanë përzgjedhur kryeqytetin shqiptar. E dyta, por më e rëndësishme se e para është vetë historia dhe e tashmja e popullit shqiptar.

Në emigracion, në çdo vend të Europës ku kanë shkuar, shqiptarët kanë dhënë prova se janë një popull punëtor, i dashur, paqësor, me njerëz të talentuar, në gen, europianë më të lashtë se të gjithë popujt e tjerë të Europës. Por në ndryshim, jo më të pasur dhe të qytetëruar, dhe sigurisht jo për fajin e tyre, e popullit të thjeshtë, mbi gjysma e të cilit në tri dekadat e fundit është detyruar të braktisë vendin e vet.

Varfëria, luftrat, pushtimet e shumta, keq-qeverisjet e vazhdueshme, rënduan ndër shekuj mbi popullin e paarsimuar dhe të varfër shqiptar.

Edhe sot bëhen përpjekje për ta lënë atë të varfër, të paarsimuar, ose të arsimuar keq, që Shqipëria të mos ketë të ardhme, pavarësisht të ardhmes së saj në BE.

Sot në 115 vjetorin e ditëlindjes se Enver Hoxhës, udhëheqësit e BE-së zgjodhën të mblidhen në Tiranë, dhe ironikisht do të priten në godinën e rinovuar që u ndërtua për nder të ish-diktatorit.

Pse Piramida?

Te Piramida do të flitet sot për të ardhmen e Shqipërisë dhe të rajonit tonë në BE. Le të shpresohet që e ardhmja e shqiptarëve të mbetur në trojet që u lanë trashëgim të parët, të mos jetë “piramidale”. E ardhmja ka vetëm një rrugë; të ndërtohet mbi vlerat europiane, të arsimit, kulturës, punës, qytetarisë dhe respektit për njëri-tjetrin.

Por që e ardhmja e shqiptarëve të jetë europiane, e një Europe që duhet ndërtuar në Shqipëri dhe jo në Gjermani, populli shqiptar së pari duhet të njihet dhe të distancohet nga “projekti i piramidës”.

Projektin piramidal e përfaqësojnë sot të marrët që çmenduria e 30 viteve tranzicion iu dhuroi pasuri dhe pushtet të pamerituar duke “i çmendur” deri më atë pikë saqë nuk morën asnjë përgjegjësi, kur dogjën Shqipërinë në vitin 1997 dhe degdisën me politikat e tyre të mbrapshta shqiptarët e ndershëm, punëtorë dhe të kalifikuar, në çerekshekullin e fundit. Ishin ata që shitën çdo pasuri kombëtare, nxorën në treg edhe dijen dhe dinjitetin kombëtar.

Këta të marrë gjenden sot kudo në sferat drejtuese, në politikë, kuvend, media, universitete, drejtësi, diplomaci, në çdo institucion, në krye të piramidës. Nëse nuk pastrohen, siç po përpiqet SHBA t’i pastrojë nga drejtësia, ata do të mbeten të vetëm një ditë. Do të mbeten në krye të Piramidës që ngritën për hir të interesit dhe çmendurisë së tyre!

Përfaqësuesit e denjë të Piramidës, që ‘koha e çmendur’ iu dha në duar dhe iu besoi të ardhmen tonë, edhe nga mësimet e gabuara të udhëheqësit legjendar, me siguri nuk kishin llogaritur gjëmën që i priste në projektin e tyre; kur të kenë ikur të gjithë shqiptarët, dhe në këto kushte Piramida e mbetur pa bazë do të shembej një ditë dhe do t’i zinte brenda!

Në vend të shëmbjes së mureve që e rrethojnë, Piramida do t’i duhet popullit shqiptar, do t’i shërbejë si muze, si pjesë e kulturës  për të kujtuar të shkuarën e hidhur, sikurse sot shqiptarëve iu duhet ndihma e sinqertë e Perëndimit për t’u integruar sa më parë në familjen e madhe europiane!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT