“SPAK duhet të hetojë vetëm korrupsionin e madh”, Dumani: Nën hetim 1 ish-ministër, 6 ish-kryetarë bashkie

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian ditën e sotme, nga ku ka deklaruar se SPAK ka bashkëpunim me shumë agjenci të huaja në Europë dhe vijon punën për zgjerimin e këtyre marrëdhënieve.

Në fjalë e tij Dumani, propozoi ngritjen e kufirit minimal për hetimin e dosjeve të korrupsionit, kufi i cili qëndron në shifrën e 50 mijë lekëve të reja. Sipas Dumanit, kjo ka sjellë mbingarkesë sjell me çështjet në SPAK, institucion i cili sipas tij duhet të hetojë vetëm rastet e korrupsionit të madh.

“Të gjithë synojmë patjetër të rrisim gjeografinë e vendeve të rajonit ku të bashkëpunojmë. Sa i takon vendeve të BE apo Britanisë kemi shumë skuadra të përbashkëta dhe synojmë të zgjerohemi me vendet nordike. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me këto agjenci.

Sa i takon punës së SPAK, dua të sjell në vëmendje konkluzionin e reporterëve të KiE-së. Ata patën shqetësim për korrupsionin dhe vlerësuan rezultatet e SPAK. SPAK duhet të fokusohet vetëm në çështjet e korrupsionit të madh, ndaj kemi vendosur një limit. Shuma prej 50 mijë lekësh është një kufi që na ngarkon më shumë dhe besoj se prokuroritë e tjera mund të ushtrojnë ndjekjen penale për këto raste. Ne kemi pasur konkluzionin që ky kufi minimal duhet të jetë më i lartë.

SPAK gjatë 9-mujorit ka qenë e vëmendshme dhe vëmendje ka marrë identifikimi i vlerës së produktit të veprës penale me qëllim final sekuestrimin e pasurive të vendosura nga korrupsioni. Janë dhënë 4 vendime për sekuestro preventive.

Për periudhën nga 1 Janari 2023 e deri më 30 Shtator 2023 janë regjistruar 151 procedime penale me 133 persona nën hetim.

Nga këto, nën hetim janë gjithsej 13 procedime penale me 15 persona persona nën hetim, ish-funksionarë të lartë publikë publikë, ku përfshihen dhe ish-funksionarë të drejtësisë, si më poshtë: 1 ish-ministër, 1 ish-zëvendësministër, 6 ish-kryetarë bashkie, 2 sekretarë të përgjithshëm, 3 ish-gjyqtarë, 1 ish-prokuror.

4 prej tyre kanë qenë ish-funksionarë të drejtësisë, nga të cilët 1 person rezulton të jetë i shkarkuar nga KPK-ja. Janë regjistruar dhe 7 procedime penale për 9 persona, ish-funksionarë të Policisë së Shtetit. Numri i procedimeve penale të regjistruar për funksionarë të Policisë së Shtetit është rritur me 75%”, tha Dumani.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT