Sulmi që tronditi botën/ Si nisi lufta e Hamasit në Izrael: Dëshmitë nga vendi që u “masakrua”

Era e trupave të kalbur ndihet ngado në ajër në vendbanimin e njohur si Kfar Aza, ku terroristët e Hamasit masakruan disa familje, duke përfshirë edhe 40 fëmijë, disa prej të cilëve u prenë dhe kokën.

Vendbanimi ose siç njihet në hebraisht “kibubuz” ishte një nga zonat e para izraelite që u vu në shënjestër të shtunën në mëngjes nga terroristët e Hamasit.

Pikërisht këtu personat e armatosur të Hamasit, duke përdorur pushkë sulmi dhe granata, qëlluan pa mëshirë për të vrarë familjet që bërtisnin dhe luteshin për jetën e tyre, përpara se t’u vunë zjarrin shtëpive të tyre.

Terrori filloi menjëherë pas agimit të mëngjesit të së shtunës, kur shumica e 400 banorëve izraelitë që jetonin në kibbutz Kfar Aza ose ishin duke fjetur ose duke ngrënë mëngjesin e tyre.

Vala e parë prej 70 terroristësh të Hamasit hynë në zonë me motoçikleta pasi ata çanë telin e kufirit një milje larg, ndërsa të tjerët hodhën raketa mbi mbrojtjen e Izraelit nga Gaza.

Sapo mbërritën, luftëtarët e armatosur rëndë sulmuan kompleksin nga katër drejtime – duke filluar nga ‘lagja e foshnjave’ në anën perëndimore ku jetonin të gjitha familjet e reja.

Terroristët fillimisht u përballën me një grup të vogël banorësh me përvojë ushtarake, të cilët po patrullonin rreth e qark kur panë terroristët që po vinin drejt tyre.

Ata, si ushtria dhe qeveria izraelite, nuk ishin të përgatitur për valën e terroristëve. Skuadra e vogël e sigurimit u përpoq më kot të mbronte fqinjët e tyre, por ata nuk mundën t’i mbanin terroristët dhe ata u vranë në luftimet e ashpra.

Sulmuesit e pamëshirshëm të Hamasit lëvizën me shpejtësi përmes kibucit, duke vrarë fillimisht një gjyshe 90-vjeçare, e cila ishte ulur në verandën e saj kur mbërritën terroristët. Ata e tërhoqën zvarrë pensionisten e tmerruar në dhomën e ndenjes dhe e qëlluan dy herë në kokë.

Familjet u zgjuan nga tingujt e tmerrshëm të armëve dhe zërat jashtë shtëpive të tyre. Prindërit e tmerruar vrapuan te fëmijët e tyre që flinin dhe i nxorrën nga shtretërit e tyre përpara se t’i vendosnin në dhoma të sigurta ose dollapë.

Midis atyre prindërve ishin Itay dhe Hadar Berichevsky, të dy 30 vjeç, të cilët e dinin se kishin vetëm pak sekonda për të reaguar kur dëgjuan personat e armatosur duke u përpjekur të thyenin derën e tyre hyrëse, duke e ditur se nëse nuk do ta bënin, fëmijët e tyre nuk do të kishin kurrë të ardhme.

Prindërit e tmerruar futën furishëm dy foshnjat e tyre binjake 10-muajshe në një strehë të fshehur, pak çaste përpara se terroristët e Hamasit të hynin në shtëpinë e tyre dhe të qëllonin për vdekje çiftin e ri.

Më pas, terroristët lëviznin sistematikisht nga shtëpia në shtëpi, duke hapur disa dyer të përparme me granatat e tyre me raketa përpara se të lëshonin një breshër plumbash mbi burrat, gratë dhe fëmijët që jetonin atje pa dallim. Familje të tëra ishin vënë në pranga përpara se të qëlloheshin një nga një, thanë ushtarët.

Më vonë u kuptua se rreth 40 foshnja dhe fëmijë të vegjël u masakruan në këtë vendbanim, disa prej të cilëve iu prenë kokat, sipas ushtarëve izraelitë. Imazhet tronditëse nga vendi i ngjarjes tregojnë sediljen e makinës së një foshnje të mbuluar me gjak, fustanin e saj të vogël të gjakosur të shtrirë pranë saj.

Personat e armatosur të Hamasit i vunë zjarrin disa shtëpive në një përpjekje për t’i detyruar familjet të largoheshin, në mënyrë që ata të mund të pushtonin zonën.

Ajo që ka mbetur nga masakra që terroristët e Hamasit lëshuan mbi këtë komunitet të vogël janë trupat e vdekur dhe mbetjet e djegura të shtëpive të banorëve.

Në të gjithë qytetin, muret dhe makinat e djegura janë të mbushura me vrima plumbash, teksa në dhomat e gjumit ka dyshekë të spërkatur në gjak.

Kishte aq shumë viktima, sa ushtarët dhe ekipet mortore shpenzuan orë të tëra duke mbledhur të gjithë trupat e tyre. Ata mbështollën trupat e vegjël të fëmijëve të vegjël të therur nga terroristët, përpara se t’i vendosnin në çanta trupash që ishin shumë të mëdha.

Ushtarët izraelitë u panë duke ngushëlluar njëri-tjetrin pasi panë tmerre të tilla, duke përfshirë trupat e familjeve të tëra që u qëlluan me armë në shtretërit e tyre.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT