Berisha “injoron” sërish Gjykatën/ Avokatët nuk tërheqin vendimet, GJKKO i nis me postë

Avokatët mbrojtës të Sali Berishës nuk u paraqitën këtë të hënë në sekretarinë e Gjykatës Anti Korrupsion për të marrë dy vendime gjyqësore për ish-kryeministrin.
Njëri nga vendimet i përket datës 26 tetor, në të cilin gjyqtarja Irena Gjoka shpalli detyrim paraqitje në prani të një avokati të caktuar falas nga shteti. Vendimi i dytë i takon datës 6 nëntor, në të cilin gjykata rrëzoi kërkesën e avokatëve, duke theksuar se nuk është shuar masa e sigurisë ndaj Berishës dhe nuk ekzistojnë kushtet as për të shuar masën ndaj Jamarbër Malltezit.
Kështu, Gjykata ka vendosur t’i dërgojë këto dy vendime përmes postës, në përpjekjen e saj të fundit, duke qenë se dosja ka ngecur në sekretarinë e gjykatës së shkallës së parë.
Nëse as në këtë rast s’ka reagim nga ana e Berishës dhe avokatëve, GJKKO do ta konsiderojë si një refuzim, raporton gazetarja Anila Hoxha, dhe brenda pesë ditëve do të bëjë referimin e dosjes nga sekretaria në në Gjykatën e Apelit të Posaçëm./ Top Channel