DETAJE nga marrëveshja për refugjatët/ Mediat italiane: Shqipëria nuk përfiton asnjë fond shtesë

Detaje të tjera janë zbuluar nga marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët që do të strehohen në vendin tonë.

Edhe pse kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se qendrat për pritje ne refugjatëve do të hapen me financime nga qeveria e Italisë, Corriere Della Sera shkruan se marrëveshja nuk parashikon asnjë kompensim ekonomik në favor të Shqipërisë nga Italia.

Të gjitha fondet e qeverisë Meloni do shkojnë për ushqimin, kushtet higjeno-sanitare dhe shërbimet shëndetësore në kamp dhe Shqipëria nuk do përfitojë asnjë fond si vend pritës.

Sigurinë në kamp do e ruajnë vetë italianët, teksa policia shqiptare do angazhohet të ruajë sigurinë në perimetrin e jashtëm si dhe gjatë transportit të migrantëve nga njëra zonë në tjetrën, e po ashtu, do hyjë në kampe vetëm në raste rreziku potencial.

Qendrat e pritjes së refugjatëve do të hapen në Shëngjin dhe në Gjadër, teksa nuk vlen për emigrantët që mbërrijnë në brigjet dhe territorin italian, por për ata të shpëtuar në det, ku bëhet përjashtim për të miturit, gratë shtatzëna dhe subjektet vulnerabël.

Sipas mediave italiane strukturat, do të mund të strehojnë gjithsej deri në 3 mijë emigrantë, duke parashikuar rreth 39 mijë emigrantë në vit, për të përfunduar me shpejtësi procedurat për shqyrtimin e kërkesave për azil apo riatdhesimin e mundshëm.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT