“Ishte një sulm”/ “Kryqëzohet” ministri i Jashtëm, momenti kur tenton të puthë homologen gjermane

Ministri i Jashtëm kroat Gordan Grlic Radman po përballet me kritika të ashpra , për shkak të një episodi me homologen e tij gjermane Annalena Baerbock.
Gjithçka ka ndodhur pas një konference të liderëve të BE në Berlin, ditën e enjte. Një video e kapur nga mediat, tregon liderët teksa ishin duke pozuar për foton familjare. Në një moment, Radman, 65 vjeç, shihet krah Baerbock, 42 vjeç, ndërsa e përshëndet atë dhe i jep dorën, e po ashtu afrohet për ta puthur.
Në këtë moment, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme e kthen kokën nga ai dhe duket sikur për pak u shkëmbye një puthje në buzë. Kjo ka ngjallur reagimin e organizatave feministe, që akuzojnë ministrin kroat për ngacmim seksual.
Megjithatë, Radman nuk ka nguruar të kundërpërgjigjet, duke deklaruar se gjithçka ishte një përshëndetje e ngrohtë mes dy kolegëve, ndërsa shtoi se nuk ishte i vetëdijshëm se mund ta kishte vënë në siklet homologen e tij gjermane duke qenë tepër miqësor.
“Nuk e di cili ishte problemi… Ne gjithmonë përshëndetemi ngrohtësisht. Është një qasje e ngrohtë njerëzore ndaj një kolegu. Ndoshta ishte një moment i vështirë. Nëse dikush pa diçka të keqe në të, atëherë i kërkoj falje kujtdo që e ka marrë në këtë mënyrë”, u tha ai gazetarëve.
Baerbock ende nuk ka komentuar incidentin të cilin mediat gjermane e kanë quajtur ‘Kuss-Attacke’, ‘sulmi i puthjes’.
Megjithatë, aktivistja e njohur kroate për të drejtat e grave Rada Boriç e kritikoi veprimin e ministrit si ‘shumë të papërshtatshëm’, duke shtuar se ‘përshëndetje të ngrohta’ duhet të ndodhin vetëm mes atyre që lidhja e tyre lejon puthjen.
Ish-kryeministrja kroate Jadranka Kosor gjithashtu u shfaq në mediat sociale për të kritikuar Grlic Radman.
“Puthja e dhunshme e grave quhet dhunë, apo jo?” Kosor shkroi në X, i njohur më parë si Twitter.