Ku është shoferi? Makina me targa rumune gjendet e përmbysur në aksin Sarandë-Kardhiq, drejtuesi zhduket

Një aksident ka ndodhur në rrugën nacionale Sarandë-Kardhiq, ku një automjet është përmbysur.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Qafa e Gjinos, teksa mjeti i aksidentuar është me targa rumune. Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur gjatë orëve të natës, ndërsa deri tani nuk është gjetur personi i cili udhëtonte me këtë automjet, pasi pas aksidentit ai ka braktisur mjetin dhe është larguar.
Në këtë rrugë edhe pse janë kryer punime, madje edhe është bërë zgjerimi i saj, mungon sinjalistika. Ndoshta sinjalistika mund të ketë qenë edhe shkaku i përmbysjes së këtij automjeti. Policia e Qarkullimit do jetë ajo që do japë detaje për aksidentin.