Ndërtimi i aeroportit të Vlorës/ Balluku: Ja kur nisin fluturimet, synohen një milionë pasagjerë

Puna për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës vazhdon vrullshëm prej dy vitesh e parashikohet që në mars të vitit 2025 të nisin fluturimet.
Për të inspektuar ecurinë e punimeve shkuan në kantier kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e infrastrukturës Belinda Ballukun.
“Në vitin e parë ne do të kemi më shumë se 1 milionë pasagjerë vetëm në Vlorë dhe I referohemi periudhës nga marsi 2025 dhe në vazhdim, pra as një vit i plotë. Parashikimet janë shumë optimiste”, tha Balluku.
Deri më tani ka marr formë pista edhe është realizuar ngritja e terminalit me një sipërfaqe prej 20 mijë metër katrorë. Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të bëjë edhe diferencën infrastrukturore nga të tjerët përmes kësaj risie.
“I gjithë aeroporti do të jetë i mbuluar me panele diellore, të cilat janë studiuar nga aviacioni civil që të mos krijojnë problematika gjatë uljes dhe ngritjes së avionëve me reflektimin e tyre dhe këtu do të prodhohet rreth 5.2 megavat energji e rinovueshme për nevojat e aeroportit”.
Aeroporti i Vlorës vlerësohet si një prej investimet më të rëndësishme për zhvillimin turistik në jug të Shqipërisë./ Top Channel