Zef Brozi nga SHBA: Berisha do arrestohet familjarisht. Ja provat…

Brozi vlerëson punën e SPAK dhe GJKKO në luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jeton prej më shumë se 20 vitesh, Brozi ka bërë një reagim ekskluzivisht për Report Tv duke iu referuar zhvillimeve të fundit nga drejtësia ku ish-kryeministri Sali Berisha është marrë nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të.

Për Report Tv, Brozi shprehet se SPAK dhe GJKKO po bëjnë më në fund atë që shqiptarët prisnin prej vitesh, po ndëshkojnë korrupsionin 32-vjeçar të politikanëve dhe pushtetarëve.
Ai thekson se krahas hetimit të aferës së ish-kompleksit Partizani nuk duhen harruar edhe tre momente të tjera të rëndësishme siç është shpërthimi i Gërdecit që iu mori jetën 26 qytetarëve, ngjarjet e 21 janarit me 4 protestues të vrarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” apo edhe afera miliona euro e CEZ.

Mblidhet sot Konferenca e Kryetarëve, Rithemelimi pritet të përsërisë skenarin e trazirave! Mbërrin Berisha
LEXO EDHE:
Mblidhet sot Konferenca e Kryetarëve, Rithemelimi pritet të përsërisë skenarin e trazirave! Mbërrin Berisha

“Më në fund SPAK dhe Gjykata e Posaçme bënë hapin e parë që shqiptarët e ndershëm kishin vite që prisnin. Prandaj SPAK dhe Gjykata e Posaçme duhen përshëndetur, mbështetur dhe inkurajuar të vazhdojnë hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimeve të kujtdo ish- pushtetari e zyrtari të rangjeve të larta. Besoj se media e shtypi mund dhe duhet të risjellin në kujtesë 21 Janarin, Gërdecin, CEZ etj. dhe insistojnë që drejtësia të vejë para përgjegjësisë të pandëshkueshmit e derisotëm”, shprehet Brozi.
Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit shton se duhet t’u jepet fund kërcënimeve ndaj SPAK dhe GJKKO-së nga segmentetet e politikës si dhe nxit këto dy institucione themelore të Reformës në Drejtësi të hetojnë krimin dhe korrupsionin e zytarëve të lartë.
“Unë mbështes fuqimisht pavarësinë e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe bëj apel t’u jepet fund shantazheve, kërcënimeve e denigrimeve që disa deputetë, politikanë e ndonjë tjetër po bëjnë kundër prokurorëve e gjyqtarëve të këtyre institucioneve shpresëdhënëse për Shqipërinë. Unë nxis SPAK, Gjykatën e Posaçme dhe BKH të vazhdojnë me kurajo e profesionalizëm hetimin e gjykimin e korrupsionit dhe krimit të pushtetarëve e ish-pushtetarëve më të lartë të shtetit. Vetëm kështu ato i bëjnë shërbimin e madh vendit të tyre dhe qytetarëve shqiptarë në udhëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
Porosia e Zef Brozit për ish-kolegët e tij të sistemit shqiptar të drejtësisë është të sekuestrojnë pasuritë e politikanëve të korruptuar. SPAK dhe GJKKO, kujton Zef Brozi, kanë mbështetjen e SHBA dhe BE në punën e tyre për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
“Sekuestroni e konfiskoni pasuritë që këta pushtetarë e ish-pushtetarë i kanë grabitur Shqipërisë me korrupsion dhe abuzim. Mbështetja e institucioneve të Amerikës dhe Bashkimit Europian për SPAK, BKH e Gjykatën e Posaçme bëhet përditë e më e madhe dhe e shumëanshme”, deklaron më tej ekskluzivisht për Report Tv, Zef Brozi.
Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin ka marrë nën hetim ish-kryeministrin Sali Berisha i akuzuar për “korrupsion pasiv” në aferën e privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani” dhe GJKKO ka vënë për të masën “detyrim paraqitje” si dhe i ka ndaluar ndaljen jashtë vendit. Sipas aktpadisë së SPAK, Sali Berisha ka përdorur pushtetin në dispozicion të përfitimeve direkte të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. Për dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, përfituesi direkt nga privatizimi i truallit të “Partizanit” ku sot janë ngritur 19 kulla, GJKKO ka vendosur lënien e tij në “arrest me burg” me dy akuza, “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”.
Sipas dosjes së SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas organit të akuzës janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. GJKKO ka sekuestruar 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit. Atij i janë bllokuar edhe gjashtë llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.
Reagimi i plotë i Zef Brozit për Report Tv
Më në fund SPAK dhe Gjykata e Posaçme bënë hapin e parë që shqiptarët e ndershëm kishin vite që prisnin. Prandaj SPAK dhe Gjykata e Posaçme duhen përshëndetur, mbështetur dhe inkurajuar të vazhdojnë hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimeve të kujtdo ish- pushtetari e zyrtari të rangjeve të larta. Besoj se media e shtypi mund dhe duhet të risjellin në kujtesë 21 Janarin, Gërdecin, CEZ etj. dhe insistojnë që drejtësia të vejë para përgjegjësisë të pandëshkueshmit e derisotëm.

Unë mbështes fuqimisht pavarësinë e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe bëj apel t’u jepet fund shantazheve, kërcënimeve e denigrimeve që disa deputetë, politikanë e ndonjë tjetër po bëjnë kundër prokurorëve e gjyqtarëve të këtyre institucioneve shpresëdhënëse për Shqipërinë. Unë nxis SPAK, Gjykatën e Posaçme dhe BKH të vazhdojnë me kurajo e profesionalizëm hetimin e gjykimin e korrupsionit dhe krimit të pushtetarëve e ish-pushtetarëve më të lartë të shtetit. Vetëm kështu ato i bëjnë shërbimin e madh vendit të tyre dhe qytetarëve shqiptarë në udhëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sekuestroni e konfiskoni pasuritë që këta pushtetarë e ish-pushtetarë i kanë grabitur Shqipërisë me korrupsion dhe abuzim. Mbështetja e institucioneve të Amerikës dhe Bashkimit Europian për SPAK, BKH e Gjykatën e Posaçme bëhet përditë e më e madhe dhe e shumëanshme!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT