“Zoti ka qenë gjithmonë me mua”/ Ja çfarë thoshte para 8 muajve, i ndjeri Dwamena për problemet në zemër

Sulmuesi Raphael Dwamena ndërroi jetë tragjikisht ditën e sotme, teksa ishte duke bërë gjënë që ai donte më shumë në këtë jetë, të luante futboll.
28-vjeçarin e la në baltë zemra e tij e brishtë, që prej vitesh e mundonte. Ai u rrëzua në tokë në minutën e 25-të të ndeshjes kundër Partizanit, për të mos u çuar më.
Shokët e skuadrës, por jo vetëm, janë tronditur nga gjithçka që ndodhi, teksa përcillnin mikun e tyre. Por Dwamena ishte i përgatitur për gjithçka që mund të ndodhte. Shumë mjekë e kishin paralajmëruar se po rrezikonte jetën duke luajtur në këtë gjendje, por ai kishte vendosur të vazhdonte ëndrrën. Këtë e ka treguar dhe ai vetë, në një intervistë në shkurt të këtij viti, kur ai kishte vetëm një muaj që kishte ardhur në Shqipëri.
“U luaja në Zyrih dhe kisha të gjithë mjekët aty. U detyrova të kthehesha në shtëpinë time dhe të bëja disa teste mjekësore. Të gjitha këto janë pjesë e sfidave dhe më është dashur të pajtohem me to. Në fillim më vendosën një pajisje që monitoronte rrahjet e zemrës, bëhet fjalë për një sinjal që të godet dhe të tregon gjendjen e zemrës, ajo ishte gjëja më e rëndë që më ndodhi, por unë nuk jam rrëzuar asnjëherë në fushë apo të humbas ndjenjat. Familja ime është në Gana dhe sigurisht ishte e vështirë për ta kur dëgjonin lajme të ndryshme. Unë kisha kohë që isha nën monitorimin e mjekëve dhe më kishin siguruar.
Më pas më pyetën nëse isha në gjendje të mirë për të luajtur dhe unë thashë Po. Ndërkohë doktorë nga klube të ndryshme apo institucione të ndryshme shpreheshin shpesh se unë nuk duhet të luaja më. Por unë edhe një herë i thashë, ‘e respektoj vendimin tuaj por duhet të marr një vendim’. Nuk kam aspak frikë se Zoti është me mua. Kur erdha këtu te Egnatia bëra disa teste mjekësore dhe gjithçka ishte mirë. Unë asnjëherë se lashë futbollin, luaja në mënyrë të vazhdueshme.
Ndoshta për njerëzit normal ka shumë gjëra të pamundura, por për Zotin s’ka gjëra të pamundura. Ai më ka qëndruar pranë gjithmonë dhe unë asnjëherë se kam diskutuar nëse do të luaja apo jo futboll. Zoti ka qenë gjithmonë aty për mua dhe unë kam shumë besim te Ai,”- është shprehur i ndjeri Raphael Dwamena.