ZYRTARE/ Vuçiç shpërndan Parlamentin dhe çon Serbinë në zgjedhje të parakohshme, ja kur do mbahen

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka shpallur ditën e sotme zyrtarisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 17 dhjetor.

Duke nënshkruar vendimin për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve, presidenti tha se Serbia po përjeton një periudhë të vështirë, në kohën e sfidave globale, luftërave dhe konflikteve dhe se është e nevojshme që të gjithë të jenë të bashkuar në luftën për ruajtjen e interesave jetike kombëtare dhe shtetërore të Republikës së Serbisë.

Zgjedhjet që do mbahen më 17 dhjetor janë të tretat me radhë në tre vjet e gjysmë në Serbi, teksa pushteti në Serbi është përballur me trysni në rritje nga opozita pas dy sulmeve masive në pranverën e këtij viti që lanë pas vetes 17 të vrarë, duke nxitur zemërimin e publikut dhe protesta masive kundër qeverisë.

Po ashtu, shpallja e zgjedhjeve të reja ndodhë në një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, mes tensioneve që pasuan një sulm të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator. Sulmin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës e cila është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.

Me 27 tetor, udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane, Francës, Gjermanisë dhe Italisë i kërkuan Kosovës më shumë autonomi për pakicën serbe, ndërsa Serbisë njohjen “de fakto” të pavarësisë së Kosovës. Kërkesat janë pjesë e përpjekjeve të ripëtërira për të nxitur përmbushjen e një marrëveshjeje të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Vëzhguesit tërheqin vërejtjen se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në këtë periudhë mund të zvarris zbatimin e marrëveshjes që edhe ashtu është vonuar.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja palët që të përparojnë drejt integrimeve evropiane. Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, e shpallur anëtarësimin në BE si synim të saj, por vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT