Bashkia Himarë drejt zgjedhjeve? Rama reagon për Fredi Belerin: Vendimi i Gjykatës korrekt ligjor

Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, i cili ndodhet në burg nën akuzë për blerje votash.
Duke komentuar vendimin e GJKKO për të mos i dhënë lejen Belerit për t’u betuar në detyrë, Rama shkruan se ky vendim nga Gjykata e Posaçme konfirmon në mënyrë të padiskutueshme tashmë faktin se çështja “Beleri”, është vetëm çështje e drejtësisë dhe aspak e politikës.
Sipas tij, “arsyetimi i këtij vendimi krijon një premisë pozitive për adresimin e ngërçit” të krijuar në bashkinë e Himarës.
Reagimi i kryeministrit Rama:
Nga leximi i vendimit të arsyetuar të GJKKO mbi mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, shoh të udhës të nënvizoj publikisht sa më poshtë:
Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.
Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.
Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës.
Si përfundim, ky vendim i arsyetuar i GJKKO është një konfirmim i padiskutueshëm ligjor i “çështjes Beleri” si një çështje e drejtësisë, assesi e politikës apo kurrësesi e organeve të qeverisë qendrore. Po ashtu arsyetimi i këtij vendimi krijon një premisë pozitive për adresimin e ngërçit të lartpërmendur.