“Dje me HUNJ në dorë, sot LËPIJNË atë që pështynë”

Fatbardh Kadilli, i ftuar në një lidhje skype për emisionin “Breaking” në Top News, foli për situatën aktuale politike brenda radhëve të PD-së, si dhe për Kuvendin e mbajtur nga Berisha.
“Unë i kam bërë thirrje çdo demokrati të mendojmë të gjithë bashkë për të ngritur një projekt politik. Nëse përballë Berishës, Bashës dhe kujtdo tjetër kam folur sy më sy, përballë tyre dhe u kam thënë që po e shkatërroni opozitën, sot i bëj thirrje çdo opozitari: kemi detyrimin t’i përgjigjemi çdo shqiptari me një projekt afatgjatë opozitar, me ide të reja e ideologji të re që t’i shërbejë shoqërisë shqiptare.
Kjo është e mundur me një besim, që dikush do ta nisë, unë shpalla manifestin tim politik, me njerëz që kanë integritet. Sot dukemi pak, por vlera nuk është vetëm tek numrat. Ato numra do vijnë tek vlerat.
Aksioni opozitar i Berishës nuk i sjell asnjë dobi shqiptarëve, prandaj nuk i bashkohen. Ata përfaqësojnë egon e tyre. Shqiptarët duan t’i bashkohen një projekti politik.
Ndryshimi nuk pranohet lehtë, sidomos nga ata që në këtë status quo të Shqipërisë, kanë përfitimet e tyre. Çdo tollovi që krijohet u prish ato llogaritë se sa të ardhura do kenë në fund të vitit. Por e ardhmja e tyre rrezikohet më shumë duke vazhduar kështu, se sa duke i hapur rrugë ndryshimit.
T’i japim fund këtij tranzicioni politik që dominohet nga disa dinosaurë politikë, që grumbulluan pushtet e pasuri, e janë bërë barrierë për pengimin e shqiptarëve,” tha Kadilli.
I pyetur se si e pa mungesën e deputetëve të Gazment Bardhit në Kuvendin e organizuar nga Berisha, Kadilli tha se janë thjeshtë kalkulime politike për të rritur çmimin e tenderit të tyre politik.
“Nuk ka parime në këtë mes. Ata janë sharë, janë sulmuar. Në 8 janar, këta që lëvizën nga Basha tek Berisha, kanë qenë më agresivët. Me hunj në dorë më 8 janar. Kanë pasur deklarata që të vjen zorr t’i dëgjosh. Por për llogaritë e tyre personale, janë të gatshëm të lëpijnë atë që kanë pështyrë dje,” tha Kadilli.