“Dua të dalë e vërteta”/ Mediu pas gjyqit për “Gërdecin”: U provua se kam respektuar ligjin

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka folur për mediat pas përfundimit të seancës së sotme, për çështjen e tragjedisë së Gërdecit.
Mediu deklaroi se do të jetë në çdo seancë gjyqësore për Gërdecin, edhe në gjyqin e radhës kur do të jetë dhe Shkëlzen Berisha.
Mediu thotë gjithashtu se sot ka vënë në dispozicion edhe një dokument të policisë ushtarake, ku thuhet se përpara se të bëhej demontimi kishte filluar puna për prishjen e objektit në mënyrë të kundraligjshme.
“Dua të dalë e vërteta për procesin. U provua se Mediu ka vepruar në respekt të ligjit, për detyrimet e BE dhe të plotësimit të akteve ligjore. Ka pasur marrëdhënie korrekte me strukturat civile dhe ato ushtarake. Nuk ka pasur asnjë reklamim te ministri i Mbrojtjes. I vura dhe sot një dokument të policisë ushtarake, që kishte nisur kompania të niste shembjen e paligjshme të godinës. Do të paraqitem në çdo seancë. Çfarë ka nevojë sot?! Ky demontim ishte çështje sigurie apo e kërkesave të partnerëve tanë! Kërkesa e kompanisë amerikane ka qenë e vlerësuar sipas procedurave dhe më pas se si u përzgjodh vendimi i demontimit. Skam bërë as më shumë dhe as më pak se detyrën time! Dua të sqaroj një herë e përgjithmonë se për transportin, e thotë rregullorja. Në ministrinë e Mbrojtjes transporti është bërë nga Forcat e armatosura të armatimeve. Do të jem në çdo seancë që trajtohet çështja e Gërdecit. Në muajin maj më është raportuar për ndërtim të paligjshëm në Gërdec. Po flas qartë, kompania kishte bërë shkelje. Ky vjen si shqetësim i Policisë Ushtarake, dhe nuk e vendos unë gishtin e akuzës. Nuk ka një akt që të kem neglizhuar.”, tha Mediu.