Kush ia dha armën Sokol Mjacajt? Nalohet drejtori i burgut të Peqinit dhe 12 zyrtarë, dyshohet se…

Drejtoi i burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, Kamber Hoxha dhe 12 zyrtarë të tjerë të këtij institucioni të vuajtjes së dënimit janë ndaluar nga policia.
Ndalimi i tyre është bërë një ditë pas ngjarjes së rëndë brenda këtij burgu, ku i dënuari përjetë Sokol Mjacaj, ka vrarë me armë zjarri një tjetër të dënuar, Arben Lleshin, brenda qelisë së tij dhe ka plagosur Ilir Shaqjan, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shoqërimi është bërë për faktin se në burg nuk punonte për një kohë të gjatë skaneri, por edhe disa kamera sigurie. Në lidhje me ngjarjen, ka dëshmuar autori Sokol Mjacaj, i cili është shprehur se armën e kishte siguruar rreth një muaj e gjysmë më parë, ndërsa Lleshin e kishte ekzekutuar pasi ky i fundit nuk e kishte pranuar në sektor.
Megjithatë, Prokuroria vijon hetimet për ngjarjen dhe nuk përjashton pistën se vrasja mund të jetë kryer me porosi.
Si ndodhi ngjarja?
Mesditën e djeshme, Sokol Mjacaj ka qëlluar nga dritarja e qelisë për vdekje Arben Leshin, i dënuar gjithashtu me burgim përjetë për vrasjen e shtetasit Agim Hoxha në vitin 2012 në Britaninë e Madhe. I plagosur ka mbetur edhe i burgosuri tjetër, shtetasi Indrit Shaqja.
28-vjeçari i ka shkuar viktimës tek dritarja e qelisë së tij, tek zona ku dalin për ajrim. Si pasojë e plagëve të marra Arben Lleshi ka humbur jetën, ndërsa mbetet mister se si Sokol Mjacaj kishte siguruar armën brenda burgut të sigurisë së lartë.
Gjithashtu ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kishte urdhëruar vendosjen e tij në regjimin 41 bis.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, në IEVP Peqin, ku shtetasi Sokol Mjaçaj vrau me armë zjarri, shtetasin Arben Lleshi, plagosi shtetasin Indrit Shaqja (të tre këta shtetas vuanin dënimin me burgim të përjetshëm në IEVP Peqin), i cili është aktualisht në kujdesin e mjekëve, si dhe kanosi me këtë armë, punonjësit e shërbimit në këtë IEVP, ju informojmë se:
Nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u ekzekutua urdhri i prokurorit, për kryerjen e arrestimit në flagrancë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, të shtetasit Sokol Mjaçaj, 28 vjeç.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të shtetasve:
-K. H., 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IEVP Peqin;
-Q. M., 60 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin;
-N. Gj., 54 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef i Policisë së IEVP Peqin;
-V. Sh., 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin;
-A. D., 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin;
-I. B., 46 vjeç, banues në Peqin, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-F. M., 43 vjeç, banues në Lushnje, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-F. P., 50 vjeç, banues në Belsh, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-G. M., 49 vjeç, banues në Lushnjë, punonjës policie i IEVP Peqin;
-K. H., 44 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin;
-E. Ç., 36 vjeç, banues në Belsh, punonjës policie i IEVP Peqin;
-I. D., 41 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin.
Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur në ngjarje, si dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, vijojnë hetime intensive për të individualizuar përgjegjësinë penale të shtetasve të ndaluar, si dhe për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht rrethanat e kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.