Shkëlzen Berisha paraqitet në GJKKO për çështjen “Gërdeci”/ Çfarë paralajmëroi para kamerave

Shkëlzen Berisha ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në gjyqin ndaj Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”. Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha hyri në ambientet e Gjykatës rreth orës 08:50.
“Do të flas kur të dal nga gjykata”, tha ai, përpara se të futej në godinën e GJKKO-së, ku do të zhvillohet seanca e radhës për tragjedinë e Gërdecit.
Seancën e kaluar, Shkëlzen Berisha nuk ishte i pranishëm në seancë dhe sipas prokurorëve të SPAK ai nuk banonte në adresën e dhënë. Por në reagimin e tij, djali i liderit demokrat theksoi se nuk kishte pasur njoftim për t’u paraqitur në SPAK. Ai shtoi se kishte depozituar në SPAK, numrin e telefonit dhe adresën e saktë të banesës së tij.
“Ne lidhje me disa raportime mediatike për mos paraqitjen time si dëshmitar në gjykatë, më duhet të sqaroj se në asnjë adrese timen fizike apo elektronike nuk ka mbërritur asnjë ftese për t’u paraqitur për të dëshmuar!
Pretendimet e SPAK, qe janë qartaz ne funksion te qëllimeve politike e mediatike te Edi Rames, bien poshtë, si nga njoftimet e mëparshme qe janë ekzekutuar me sukses, ashtu dhe nga fakti qe personalisht ne dëshminë e dhëne para SPAK kam depozituar adresën e SAKTE si dhe nr e telefonit! Mbetem i hapur për t’u paraqitur konfirmo ligjit me te marre ftesën!”, theksoi Shkëlzen Berisha.