U plagos dje nga Sokol Mjacaj/ Si paraqitet gjendja e Indrit Shaqjes, asnjë familjar nuk e viziton

Opinioni publik u trondit ditën e djehsme pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në burgun e Peqinit, Sokol Mjacaj ekzekutoi me armë zjarri Arben Lleshin, dhe plagosi Indrit Shaqjan.
Ky i fundit sot është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në spitalin e burgut në QSUT. Ai do të qëndrojë në spital derisa të rikuperohet nga plagët e marra. Ndërsa jashtë ambienteve të spitalit të burgut në QSUT nuk ka forca shtesë policie pavarësisht se Shaqja konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë, dhe është i dënuar me burgim të përjetshëm.
Ajo që bie në sy është se që prej pasdites së djeshme, asnjë familjar i tij nuk është paraqitur për t’u interesuar për gjendjen e të plagosurit.
Të tre të burgosurit përjetë që u bënë protagonistë dje, duket se janë “harruar” nga familja pasi kishin kohë që nuk i takonin. Edhe viktima Arben Lleshi kishte 3 vite pa takuar asnjë familjar. Edhe Mjacaj ishte në të njëjtën situatë, por diçka ka ndryshuar, pasi raportohet se pak kohë më parë ai ishte vizituar nga disa të afërm.