Vetoja e Orban për Ukrainën u anashkalua: BE krijon precedentin, alarmohet Greqia

Mungesa e unanimitetit në dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën ka ngritur alarmin në Athinë, për shkak të precedentit që krijon.
Kryeministri Viktor Orban ngulmoi se as Hungaria, as BE-ja, nuk ishin të gatshme të hapnin negociatat për anëtarësim me Ukrainën.
Pavarësisht kësaj, statusi u miratua me aprovimin e vetëm 26 vendeve anëtare.
Në një artikull të Kathimerinit, nënvizohet paralajmërimi i kancelarit gjerman, Olaf Scholtz për hapjen e grupkapitujve të parë për Shqipërinë, pavarësisht vetos greke për çështjen Beleri, të cilën e konsideron çështje bilaterale.
Ky shqetësim u ngrit edhe nga presidenti i Republikës së Qipros, Nikos Christodoulidis, i cili si udhëheqës i një vendi të vogël u shpreh “Suksesi i Bashkimit Europian gjatë gjithë këtyre viteve ishte vendimmarrja përmes një procesi, përmes një dialogu që përfundimisht i çonte të 27 vendet anëtare në një qasje të përbashkët.
Mendoj se po krijohet një precedent shumë negativ, të cilin do ta shqyrtojmë edhe më gjerë në diskutimet e ardhshme. Kancelari gjerman, Olaf Scholtz në prag të samitit mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, foli nga Parlamenti Europian, ku kërkoi që të mos ishte e nevojshme dakordësia unanime e 27 vendeve të BE për këtë proces.
“Nuk ka pse çdo vendim, si çelja apo mbyllja e kapitujve të negociatave, të varet nga çdo vend anëtar. Nëse vende, si për shembull Shqipëria, kanë bërë reforma të rëndësishme, kjo duhet të vlerësohet. Përndryshe, rrezikohet të dëmtohet i gjithë procesi i anëtarësimit dhe këtë nuk duhet ta lejojmë“, – u shpreh kancelari.
Pritet që në tryezar e diskutimit të liderëve të Bashkimit Europian në vijim të jetë edhe propozimi i kancelarit gjerman Olaf Scholtz./tch