Habit avokati serb: Njohja e pavarësisë së Kosovës është në interes të Serbisë

Avokati serb, Cedomir Stojkoviç ka bërë një deklaratë të fortë, teksa tha se është në interes të Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës.

Avokati u shpreh se ai personalisht e sheh Kosovën si një shtet të pavarur, teksa foli për një vizitë që kishte zhvilluar më herët në varrin e familjes Jashari në Prekaz.

“Kur Sanduloviç pranoi Pavarësinë e Kosovës unë isha i pari që përshëndeta këtë vendim. Është në interes të Serbisë që të njoh Pavarësinë e Kosovës. Serbia duhet t’i ndihmoj fqinjit të vet Kosovës për t’u bërë anëtare e OKB-së pasi është në interes që fqinji të bëhet i mirë”, ka deklaruar ai.

Avokati serb vendosi ditën e sotme lule mbi varrin e Blerina Jasharit në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Blerina ishte 7-vjeçare kur u vra nga forcat serbe në vitin 1998. Bashkë me Blerinën, nga forcat serbe u vranë edhe më shumë se 50 anëtarë të tjerë të familjes Jashari, në mesin e tyre edhe komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari

Stojkoviç, shtetas i Serbisë, është avokat i politikanit opozitar në Serbi, Nikolla Sandulloviç, i cili u arrestua më 3 janar 2024, pak kohë pasi publikoi fotografi nga kompleksi memorial në Prekaz.

Ai u arrestua nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT