“Hapet votimi…mbyllet votimi”/ Protesta e opozitës nuk vlen! Mazhoranca miraton për 12 minuta projektligjet

Senaca plenare e ditës së sotme u shoqërua sërish me incidente nga opozita, të cilët bllokuan foltoren, duke protestuar me pankarta në duar.
Ashtu si në rast e mëparshme, edhe sot opozita ka zgjedhur të vazhdojë mosbindjen civile, megjithatë pa shumë vlerë. Mazhoranca ka miratuar e vetme për 12 minuta projektligjet e rendit të ditës, duke mbyllur seancën në më pak se 30 minuta.
Për herë të parë në seancën e sotme parlamentare nuk kishte më karrige të kthyera përmbys, flakadanë apo efektivë të Gardës së Republikës që të qëndronin në mes të deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Deputetët e pakicës parlamentare kishin zgjedhur sot mbajtjen e disa pankartave, si dhe ndezën disa zhurmues për të pamundësuar mbajtjen e seancës. Aq e qetë ishte protesta e sotme e opozitës, sa që në nisje të seancës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla i kërkoi Gardës të largohej nga pozicioni që mban, tashmë prej disa javësh përpara tavolinës së ministrave.
Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit parashikojnë përjashtim me 30-60 ditë për deputetët që prishin seancat plenare. Por ky përjashtim shoqërohet edhe me efekte financiare, pasi deputetëve u mbahet paga për kohën e përjashtimit, çka duket se i ka stepur deputetët.