Më i riu në moshë dhe i pari homoseksual/ Njihuni me kryeministrin e ri të Francës, pse i besoi Macron

Gabriel Attal do të jetë kryeministri i ri i Francës, pas dorëheqjes së Elisabeth Borne.
Attal, vetëm 34 vjeç, është emëruar nga presidenti Emmanuel Macron, duke u bërë kryeministri me moshën më të re në historinë e shtetit francez. 34-vjeçari parakalon kështu edhe socialistin Laurent Fabius, i cili ishte 37 vjeç kur u emërua nga François Mitterrand në 1984.
Sipas mediave vendase, riorganizimi vjen pasi Macron po kërkon t’i japë një shtysë të re mandatit të tij të dytë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian më vonë këtë vit.
Élisabeth Borne dha dorëheqjen pas 20 muajsh në detyrë, teksa ë letrën e saj të dorëheqjes, ajo tha se e dha dorëheqjen me kërkesë të Macron, duke përmendur “vullnetin” e presidentit për të “emëruar një kryeministër të ri”.
Mandati i Macron do të përfundojë në vitin 2027 dhe ai nuk do të jetë në gjendje të kandidojë për president për një mandat të tretë radhazi në përputhje me Kushtetutën franceze.
Nga ana tjetër, Attal, një aleat i ngushtë i Macron, u bë një emër i njohur si zëdhënës i qeverisë gjatë pandemisë COVID. Ai ka bërë emër në publik si një ministër i zgjuar, i qetë në emisionet radiofonike dhe në parlament. Gjithashtu, bujë bën dhe orinetimi i tij seksual, pasi 34-vjeçari ka shfaqur hapur prirjet e tija homoseksuale.