“Nuk kam bërë asnjë ditë burg”/ Klodian Duro: Kam pasur shumë dhimbje pas divorcit me ish-gruan

Një ditë më parë është përjashtuar nga shtëpia e “Big Brother VIP”, Klodian Duro, i cili pas spektaklit të së shtunës bëri disa deklarata të forta.
“Ruhuni nga unë se kur kam rrahur gruan a e di si më dukeni ju. Po i futa dhe një gotë raki”, janë disa nga fjalët e thëna nga ish-futbollisti i Kombëtares.
Ndërkohë i ftuar sot në emisionin “Wake Up”, Duro u shpreh se ka qenë një ironi dhe se ka përsëritur fjalët e Roza Latit. Sipas ish-banorit, ajo që kur ka parë klipin ka thënë “po hyn ky që ka rrahur gruan”.
Gjithashtu po nga studio e emisionit të mëngjesit, Duro iu drejtua ish-bashkëshortes dhe vajzës së tij:
“Unë kam pasur shumë dhimbje pas divorcit me ish-gruan, por e vlerësoj maksimalisht, është nëna e vajzës sime. Kam respekt maksimal për të, ka bërë gjithçka për vajzën tonë. Ajo e di shumë mirë që babi e do shumë, është dashuria e vetme sot që ne flasim. Ish-bashkëshortes i them se do të jem gjithnjë pranë saj për çfarë i duhet asaj dhe vajzës”.
Nga ana tjetër, ish-futbollisti i Kombëtares hodhi poshtë dyshimet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-gruas. Gjithçka është e pavërtetë, u shpreh ai, duke shtuar se nuk ka bërë asnjë ditë burg.
“Për pjesën e divorcit tim, unë nuk kam bërë asnjë ditë burg, sepse nuk kam qenë i dënuar. Por kur ndodh një divorc, për të ruajtur këtë dhunën ndaj grave, gjithkush nga gratë mund të marrë një urdhër mbrojtjeje. Por unë kam pasur dhe biznes që duhet të shkoja për të parë hapat e biznesit. Realisht në atë ngjarje që ka ndodhur, ne kemi qenë në kohë pandemie kur nuk lejoheshim të dilnim nga shtëpia. Pra ishin disa thyerje të rregullores së asaj kohe, të cilat u vërtetuan lehtësisht dhe unë nuk kam vuajtur asnjë ditë burg.
Unë nuk kisha folur kurrë që t’i ktheja përgjigje të gjitha abuzimeve që u bënë. Me daljen time, nuk m’u dha mundësia që të flisja aty brenda. Ne jemi një vend që ecim me fjalë, me thashetheme, por pa ditur vërtetësinë, siç është edhe ky rast. Nëse ajo e di që unë paskam rrahur bashkëshorten, ku paska qenë Roza kur unë e kam rrahur dhe me çfarë sysh e ka parë ajo këtë gjë? Por kjo është lehtësisht e vërtetueshme, mbi të gjitha ish-bashkëshortja ime është aty, është me vajzën, mund ta vërtetojë dhe ajo me fjalët e saj qe ne gjatë gjithë jetesës sonë nuk kemi pasur kurrë shenja dhune”.