U përjashtua 20 ditë nga Parlamenti, ‘shpërthen’ Salianji: Luftë e Ramës ndaj nesh, do t’i përgjigjemi me të gjitha format e mosbindjes civile

Pasi Komisioni i Etikës e përjashtoi me 20 ditë nga Parlamenti, deputeti Ervin Salianji në një dalje për mediat e ka konsideruar si “shpallje lufte” ndaj opozitës vendimin për përjashtimin e tij dhe të 18 deputetëve të tjerë të grupit Berisha-Bardhi që pamundësuan diskutimet normale në seancën plenare të datës 25 janar.

Salianji tha se do të ketë një ashpërsim të mosbindjes civile të opozitës, ndërsa i bëri thirrje Parlamentit Europian që të dërgojë në Shqipëri një mision monitorimi sa i takon zhvillimeve parlamentare në vend.

“PD e dënon me forcën më të madhe këtë dhe e dënojmë si shpallje lufte të cilës ne nuk do t’i shmangemi dhe do të përgatisim përgjigjien.

U bëjmë me dije partnerëve ndërkombëtarë se thirrjet e tyre të përsëritura po shpërfillen në mënyrë putiniane nga Edi Rama. Shkarkimi përkohësisht i 19 deputetëve të opozitës nuk mund të bëhet nga qeveria.

I bëjmë thirrje Edi Ramës të ndalë luftën ndaj opozitës përndryshe do t’i përgjigjemi me të gjitha format e mosbindjes civile. I bëjmë thirrje Parlamentit Europian të dërgojë në Shqipëri një mision monitorimi”,- tha Salianji.

Kujtojmë se Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë vendosi këtë të hënë përjashtimin me 10 ditë të 18 deputetëve të PD-së nga seancat plenare dhe me 20 ditë të deputetit Ervin Salianji.

Deputetët të cilët janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit janë Albana Vokshi, Sorina Koti, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Tritan Shehu, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Ervin Salianji, Samir Korreshi, Kasem Mahmutaj, Ramadan Likaj, Kastriot Piroli, Qani Xhala, Lodovik Hasani dhe Luan Baçi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT