Vangjel Tavo në krye të bashkisë Himarë? Edi Rama: Shpikje të mediave greke

Kryeminsitri Edi Rama ka folur ditën e sotme në lidhje me lajmin që qarkulloi, se në krye të bashkisë Himarë do të vendosej përkohësisht ish-deputeti Vangjel Tavo.
Rama e cilësoi lajmin si “shpikje të mediave greke”, teksa u shpreh se lidhur me çështjen e Fredi Belerit, pret vendimin e gjykatës.
“Në këndvështrimin tim, së pari nuk është një vendim i formës së prerë, duhet të presim të marrë formë të prerë. Nuk mund të marrim ne një vendim të formës së prerë. Gjërat që kanë qarkulluar kanë si burim median greke dhe jo median shqiptare. As qeverinë dhe as zyrën time. Nuk komentoj çfarë më vë mua në gojë apo në kurriz media greke, pa më pyetur edhe mua. Janë histori që unë i kam parë në median shqiptare të marra nga media greke. Është një pyetje për kolegët tuaj grek,”, tha ai.
Bashkia Himarë është ende pa kryebashkiak, pasi Fredi Beleri, i cili fitoi zgjedhjet e 14 majit, nuk është betuar për shkak se ndodhet në burg, nën akuzë për blerje votash.
Sa i përket lajmit për Vangjel Tavon, vetë ish-deputeti reagoi duke thënë se nuk kishte informacion për asgjë, pasi mediat greke raportuan se Rama kishte zgjedhur ata si kryebashkiak të përkohshëm të Himarës, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja.