DRITAN GOXHAJ: A i ka vërtetë Serbia 48 baza ushtarake në kufi me Kosovën siç thotë Kurti?

Nga Dritan Goxhaj

Botuar në DITA

Kryeministri Kurti në Prishtinë, sa herë që ka mundësi në daljet publike, deklaron se Serbia ka 48 baza ushtarake në kufi me Kosovën dhe prej tyre do të sulmojë Kosovën.

Prita që këtë tezë Kurti ta ngrinte edhe aty ku kjo e kish vendin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Por jo, nuk ndodhi kështu. Pikërisht aty ku duhej ta theksonte fort, nuk e përmendi fare. E kemi fjalën për përballjen që kishte me Vuçiçin para disa ditësh në KS të OKB.

Po përse vallë nuk e përmendi?! Për të kuptuar arsyen na duhet të shohim në brendësi të kësaj deklarate të përsëritur prej Kurtit dhe qeverisë së tij sa herë që u jepet mundësia.

Është e vërtetë që Serbia ka 48 pika të ndryshme ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën, por këto pika nuk janë baza ushtarake. Ato janë disa pika ushtarake nga të cilat 28 i përkasin ushtrisë serbe, dhe 20 i përkasin xhandarmërisë serbe.

28 pikat e ushtrisë serbe janë ato që në gjuhën ushtarake të NATO-s njihen si Forward Operational Bases, dhe që në fjalorin e ushtrisë shqiptare njihen si Baza të Përparuara Operacionale. Një bazë e përparuar operacionale ka kapacitet të mbajë deri në 120 ushtarë, që do të thotë vetëm një kompani.

Ndërsa 20 pikat e xhandarmërisë serbe nuk janë baza operacionale të përparuara por vetëm pika kontrolli sigurie, ose siç njihen ndryshe në kuadër të NATO-s, Security Check Points. Këto pika sigurie për ndryshim nga ato të ushtrisë kanë kapacitet të mbajnë vetëm 30 veta, dmth vetëm një togë ushtarësh.

Por në realitet sa është sasia e forcave të vendosura në këto pika?

Aktualisht këto pika të avancuara të ushtrisë mbulohen nga Batalioni i 41 dhe 42 i këmbësorisë, të vendosur në Bazën Ushtararake në Bujanoc, në atë që njihet si baza e Cepotinjës, si dhe nga Batalioni i 21 i Këmbësorisë, i vendosur në Rashkë. Ndërsa të gjitha pikat e Xhandarmërisë në kufi me Kosovën mbulohen nga Detashmenti i Xhandarmërisë me bazë në Nish dhe nga ai me bazë në Kraljevo. Ky detashment ka madhësinë e një batalioni. Një batalion i ushtrisë serbe në organikë ka 680 vetë personel, nga të cilët 340 janë ushtarë, pjesa tjetër janë oficerë dhe nën/oficerë.

Dy batalionet e ushtrisë serbe të vendosura në bazën ushtarake në Bujanoc (kjo  është në të vërtetë bazë ushtarake) nuk janë në organikë të plotë.
Këtë gjë e vërteton fakti se baza e Bujanocit ka kapacitet vetëm për 1000 veta. Këto dy batalione sëbashku po të kishin organikë të plotë duhej të bënin – 680 x 2 = 1360 veta. Në realitet këto dy batalione kanë vetëm nga 350-380 vetë personel. Dhe nga ky personel qëndron në këto pika të avancuara vetëm me 12 vetë pra vetëm një skuadër pushkatarësh.

Ndërsa batalioni i xhandarmërisë serbe, në ndryshim nga ato të ushtrisë është në kapacitetin e tij të plotë, me 680 veta personel. Aktualisht Serbia ka vetëm 3.000 forca xhandarmërie, dhe këto janë të ndara në katër batalione dhe të vendosura, një në Beograd ku është edhe komanda e kësaj force, një në Novi Sad, dhe dy të tjerat në Nish dhe në Kraljevo.

Nga dy batalionet e vendosuara në Nish dhe Kraljevo bëhet furnzimi i këtyre pikave të sigurisë. Edhe në to aktualisht nuk janë më shumë se 12 veta të përqëndruar, që do të thotë një skuadër.

Po ku janë të vendosura këto pika (baza të përparuara operacionale)?

Aktualisht këto pika fillojnë nga kufiri trekëndësh midis Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë dhe shtrihen përgjatë kufirit me Kosovën në një distancë prej 500m deri në 1.5km, deri në pjesën e kufirit që kufizohet me Leposaviçin.

26 prej tyre shtrihen në pjesën përballë Gjilanit, që do të thotë se ndodhen përballë forcave amerikane, pasi ato e kanë nën kontroll këtë zonë. 7 pika të tjera shtrihen në zonën përballë Prishtinës dhe deri në Podujevë, përfshi edhe territorin përballë Podujevës. Ndërsa 12 të fundit shtrihen nga zona përballë Mitrovicës e deri në Leposaviç.

Siç shihet, pjesa më e madhe e këtyre pikave ndodhet në pjesën e poshtme të Kosovës dhe kryesisht janë pika të ndërtuara gjatë dhe në mbarim të luftës në Preshëvë Medvegjë e Bujanoc.

Gjithë sasia e këtyre forcave në këto pika në çdo kohë arrin në 576 forca, afërsisht sa një batalion. Në rast se mendoni se me një batalion Serbia do sulmojë Kosovën, dhe për më tepër forcat amerikane që ndodhen përballë pjesës më të madhe të përqëndrimit të këtyre pikave, atëherë vërtet duhet të keni probleme të mëdha mendore.

Ndoshta do thoni se Serbia në çdo kohë mund të çojë trupa në këto baza të përparuara. Po, ajo mund t’i zhvendosë trupat e saj, por asnjëherë pa u vënë re nga NATO dhe veçanërisht amerikanët, të cilët i kanë gjatë gjithë kohës nën monitorim, sidomos bazën ushtarake të Cepotinjës në Bujanoc.

Pra Kurti, nuk mund t’i përmendte ato që thotë për publikun, edhe në KS të OKB-së. Pasi ai e di shumë mirë që ato nuk janë baza në atë kuptim që ai i përdor për arsye propagandistike sa herë që mundet.

Propaganda e frikës është një lloj mashtrimi emocional i publikut që është shfrytëzuar edhe më herët. Populistët gjithnjë kanë nevojë për armiq për të mbajtur pushtetin. Në këtë vazhdë shpikin edhe atentate apo plane për “eleminimin” e tyre, si ai i para do ditëve, të cilin e demantoi Ministria e Brendshme e Maqedonisë me deklaratë zyrtare.

Tashmë Kurtit nuk i kanë mbetur “armiq të brendshëm”, pasi ata ia hoqi qafe komuniteti ndërkombëtar me anë të Gjykatës Speciale. Tani me çdo kusht është kapur pas armiqve të jashtëm. Jo se serbët i kemi miq, por është fare e qartë që ata nuk mund të na sulmojnë me forca ushtarake nga këto “baza” në kufi me Kosovën.

Ajo që më shqetëson në gjithë këtë lojë, është se kujt i shërben në të vërtetë kjo propagandë e frikës që po përdor Kurti dhe qeveria e tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT