Dy muaj pas vdekjes, trupi i Arben Lleshit “peng” në morg/ Prokuroria nuk lejon varrimin e tij

Kur kanë kaluar thuajse dy muaj nga vrasja e tij, trupi i Arben Lleshit ndodhet ende në morgun e Tiranës. Mësohet se Prokuroria e Elbasanit nuk ka aprovuar kërkesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore për lejimin e varrosjes së Arben Lleshit.

Duke qenëse asnjë familjar nuk është paraqitur për të marrë trupin e pajetë dhe për ta varrosur, IML iu drejtua prokurorisë që t’i jepte aprovimin që varrimi të bëhej prej saj. Ndërkohë Prokuroria e Elbasanit nuk e ka aprovuar kërkesën pa iu krijuar bindja se asnjë prej familjarëve nuk ka shfaqur interes.

IML duhet të sigurojë një listë të familjarëve të të ndjerëve, bashkë me arsyetimin përkatës se përse nuk mund ta bëjnë varrimin, për të marrë autorizimin e prokurorisë ta kryejë këtë veprim. IML në kërkesën e saj parashtroi faktin se ekspertiza mjeko-ligjore është kryer me kohë dhe vetëm rrethana e interesimit të familjarëve e ka lënë deri tani trupin në morg, në kushte frigoriferike.

Lleshi u ekzekutua në qelinë e tij, në burgun e sigurisë së lartë Peqin, mesditën e 15 dhjetorit 2023 nga Sokol Mjacaj. Dyshohet se shkak i vrasjes të jetë porositja nga jashtë për motive hakmarrjeje. Mjacaj ka vijuar t’i qëndrojë deklarimeve të mëhershme duke mos pranuar të flasë për bashkëpunëtor apo porositës, nëse ka patur të tillë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT